Zëdhënësi i Presidencës ka bërë publik përmes një reagimi të fortë arsyen madhore se përse Presidenti nuk ka dekretuar Sandër Lleshin, ministër të Brendshëm. Presidenca ka njoftuar se Presidenti është gati të sqarojë Parlamentin në një seancë me dyer të mbyllura, por edhe në një seancë publike se përse Lleshi përbën një problem për sigurinë kombëtare. Po çfarë nënkupton me këtë deklaratë Presidenca? Nëse bëhet fjalë për sigurinë kombëtare, atëhere pikëpyetjet lindin mbi të shkuarën e Lleshit. Cila është kjo e shkuar? Cilat janë marrëdhëniet e Lleshit me vende të tjera dhe cili ka qenë misioni i tij në detyrat e rëndësishme që ka patur më parë?
Nesër pritet të ketë zhvillme të reja në lidhje me Dosjen “Lleshi” e cila besohet se është një dosje voluminoze, e cila në fakt ka bindur fillimisht edhe vetë Ramën, i cili kishte premtuar në Presidencë një kandidat tjetër për ministrë të Brendshëm, por që sot është tërhequr nga kandidatura e re dhe e ka shpallur Lleshin, zv.ministër me kompetenca ministri.
Kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Robert Rakipllari, të hënën, deklaroi se një nga arsyet pse presidenti i Republikës, Ilir Meta refuzoi dekretimin e emrit të Sandër Lleshit për ministër të Brendshëm mund të jetë se ai është një Gjeneral aktiv.
Rakipllari tregoi se Lleshi në vitin 2013 është liruar nga detyra nga presidenti Bujar Nishani dhe është nxjerrë si një Gjeneral në lirim, por ai iu drejtua gjykatës dhe fitoi statusin.
Ai tha se sipas vendimit të gjykatës, Lleshi është Gjeneral aktiv.
“Për të marrë detyrën e ministrit, ai duhej të jepte dorëheqjen ose do të ishte presidenti Meta që një gjë të tillë e realizon si Komandant i Forcave të Armatosura”, – tha Rakipllari.
Më tej, Rakipllari tha se presidenti i ka kërkuar një takim z.Sandër Lleshi, por ky i fundit ka refuzuar t’a takojë privatisht.
Ai tha se sipas burimeve personale nga Presidenca, Meta iu ka komunikuar arsyet e mosdekretimit si personalisht Lleshit, gjithashtu edhe kryeministrit Edi Rama.