Kanë marrë sërish një kthesë tjetër negociatat për shitjen e bankës me shumicë kapital francez, Societe Generale. Pasi aksionerët vendas, që kishin 11.11% të aksioneve të Societe shprehën pak javë më parë interesin e parablerjes së bankës, që ishte në negociata me hungarezët e OTP-së, aksionerët francëzë kanë bërë lëvizjen e radhës. Monitor ka mësuar se Societe Generale ka rënë dakord me sipërmarrësit vendas, aksionerë në minorancë, që t’u blejë atyre pjesën e aksioneve, duke u bërë pronare 100% e bankës. Çmimi i shitjes nuk është bërë i ditur. 11.11% të aksioneve zotërohen nga Vasil Naçi, që është më i madhi vendas, me 4.53% të aksioneve; Kosta Sotiri- 2.06; Kristo Naçi-2.07; Behar Male-0.67%; Guxim Resuli-0.9%; Lefter Sota e Vladimir Kosta me nga 0.44% secili.
Kjo lëvizje i hap rrugën Societe që të rifillojë negociatat me hungarezët e OTP-së. Në fillim të gushtit, Société Générale njoftoi se kishte hyrë në marrëveshje për të shitur paketën e saj kontrolluese të aksioneve në Société Générale Albania (SGAL) tek hungarezët e OTP Bank për një shumë prej 32.5 milionë euro, për 88.89% të aksioneve. Banka Societe Generale i nxori në shitje aksionet pak muaj më parë, në kuadër të një strategjie për të dalë nga rajoni, në ato vende ku nuk ishte ndër tre të parët.
Banka Societe hyri në Shqipëri përmes blerjes së aksioneve të Bankës Popullore, në vitin 2007, duke shënuar një nga shitjet më të suksesshme të një banke, teksa u shit me gati katër herë mbi kapitalin. Banka Popullore ishte një investim i 32 sipërmarrësve shqiptarë, e hapur në vitin 2004. (Ardian Avdalli, Arben Dervishaj, Adrian Doçi, Arben Meçaj, Avni Ponari, Bledar Elezi, Behar Male, Daniel Gjoni, Dritan Çelaj, Advin Libohova, Faik Bruçi, Genci Kushta, Guxim Resuli, Ibrahim Aksoy, Josif Kote, Koço Kokedhima, Kristo Naçi Kosta Sotiri, Lefter Sota, Llazar angjeli, Qemal Disha, shpresa Prodani, Virjon Lalollari, Vasil Naçi, Ylli Braka, Zenel Tafaj, Ahilea Papuçi, Bardhyl Kellezi, Jovan Bojdani, Leonard Terpo, Vladimir Kosta, Fidel Ylli). Pjesa më e madhe e aksionerëve hoqën dorë tërësisht nga aksionet dhe vetëm disa prej tyre mbajtën një minorancë në 2007-n, kur u realizua shitja tek Societe.
Në fund të 6-mujorit të dytë 2018, Societe Generale ishte banka e pestë më e madhe në vend, me 5.9% të totalit të aseteve. Banka ka 8.9% të stokut të kredive dhe 5.9% të depozitave, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Për 6-mujorin, Societe deklaroi një fitim prej 326 milionë lekësh. Banka ka 426 punonjës.
Sistemi bankar ka hyrë në një fazë të ethshme të shit-blerjeve. Numri i bankave ka zbritur aktualisht në 14, pas përthuthjes së Veneto bank nag Intesa Sanpaolo dhe blerjes së NBG Bank nga ABI Bank. Grupi Balfin, në pronësi të sipërmarrësit Samir Mane, ka hyrë në negociata me Tirana Bank, që ka 5.3% të aktiveve të sistemit. Të tjera banka janë gjithashtu në negociata për shitje.
Ndryshe nga Banka Popullore, që u shit gati 4 herë mbi kapitalin, çmimi I shitjes së bankave sot është dukshëm më i ulët, në 0.5-0.8 herë mbi kapitalin, nga 1.5 herë që është mesatarja e transaksioneve në rajon. Çmimi relativisht i lirë po nxit dhe sipërmarrësit vendas që të hyjnë në sistemin bankar.