Në vijim të bashkëpunimit midis Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe shoqërisë civile, në datën 05.11.2018, në mjediset e Hotel Internacional, Tiranë, Qëndresa Qytetare prezantoi platformën me të dhëna të hapura për universitetet publike me adresë: www.openuniversity.al, si një mundësi që çdo student të kontribuojë në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me paratë e tij, të përfshihet në qeverisjen e universitetit dhe të informohet në kohë reale me të rejat e fundit mbi arsimin e lartë. Në këtë platformë gjenden: informacione të detajuara mbi universitetet kryesore, programet e studimit, kuotat dhe tarifat, aktet ligjore bazë të universitetit dhe informacion mbi të drejtat dhe detyrimet e studentëve, mundësi për të denoncuar rastet e korrupsionit që ndodhin në auditore, mundësi për edukim dhe asistencë ligjore falas online për studentët, informacion mbi politikat e arsimit, bursat, trajnimet dhe mundësitë e studimit jashtë vendit.
Openuniversity.al është një nismë e ndërmarrë nga Qëndresa Qytetare me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert”.
Drejtuesi i Qëndresës, z. Rigels Xhemollari bëri një vlerësim për bashkëpunimin me KLSH dhe në veçanti me Departamentin e Auditimit të Performancës. Në këtë aktivitet mori pjesë dhe përfaqësuesi i Departamentit të Performancës në KLSH, z. Alfred Leskaj. Gjatë fjalës së tij, zoti Leskaj bëri një tablo të aktivitetit të Departamentit dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile, si një nga dimensionet e rëndësishme për përzgjedhjen e temave te auditimit, por dhe në funksion të transparencës me publikun për çështje të ndjeshme për shoqërinë tonë. Më tej u theksua realizimi i auditimeve të mëparshme që ka kryer Departamenti i Auditimit të Performancës në fushën e arsimit të lartë, si në drejtim të cilësisë së kurrikulave universitare, pranimet në IAL publike dhe së fundmi fillimin e një auditimi mbi “Cilësinë dhe tarifat e shërbimeve studentore në IAL publike”. Ky auditim i fundit është iniciuar nga raporti i Qëndresës Qytetare për universitetet publike.
Departamenti i Auditimit të Performancës do të vijojë edhe në të ardhmen auditimet në sektorin arsimor të çdo niveli, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesit, në mbështetje të shqetësimeve qytetare dhe për një sistem arsimor transparent e mirë-kultivues të brezit të ri.