Skema e Ndihmës Ekonomike nuk është efektive. Ky ka qenë raporti përfundimtar i nxjerrë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një auditi të bërë.
Sipas KLSH-së, auditimi është bërë në bashkitë e Fierit, Tiranës dhe Vlorës, për periudhat janar 2012-Maj 2018. KLSH mes faktorëve që rendit thekson se me këtë skemë nuk ka një vlerë të miratuar të minimumit jetik apo të një vlere të miratuar të kufirit të varfërisë.
Po ashtu KLSH thekson se skema e ndihmës ekonomike nuk zbut varfërinë.
NJOFTIMI I KLSH
Kontrolli i Lartë i Shtetit në zbatim të programit të auditimit nr. 134/1, datë 25.04.2018 ka kryer auditimin e performancës “Varfëria në Shqipëri dhe roli i shtetit në zbutjen e saj” në Ministrinë e Shëndetësisë Mbrojtjes Sociale (MSHMS), Bashkinë Fier, Bashkinë Tiranë dhe Bashkinë Vlorë, për periudhën Janar 2012-Maj 2018 të aktivitetit të këtyre institucioneve mbi programin e Ndihmës Ekonomike. Me Vendimin nr. 144, datë 28.09.2018 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit për përmirësimin e gjendjes, duke i rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe NJQV subjekte të auditimit, 16 masa organizative dhe 4 për përmirësim ligjor, me afat zbatimi vitin 2018 dhe fillim-vitin 2019.
Nga ky auditim, është konkluduar në mesazhin se : Në Shqipëri nuk ka një vlerë të miratuar nga qeveria të minimumit jetik dhe kufirit të varfërisë, mbi të cilën të bazohen politikat dhe studimet e përkujdesit social. Skema aktuale e Ndihmës Ekonomike, si instrument i MSHMS dhe institucioneve të varësisë për përkujdesjen sociale, nuk është efektive në zbutjen e varfërisë referuar numrit të familjeve që dalin nga skema për shkak të punësimit dhe përmirësimit të kushteve social-ekonomike të tyre. Ineficienca e sistemit elektronik lidhet me aplikimin e formulës së unifikuar të pikëzimit, e cila nuk është vlerësuar në bazë të kushteve koherente të familjeve në nevojë. Mbështetja e qeverisë me programin e Ndihmës Ekonomike do të ishte efektive nëse kontributi do të vlerësohej paralelisht me nivelin e përgjithshëm të çmimeve, me produktet e shportës së konsumit dhe me studime dinamike për riintegrimin e individëve në shoqëri.
A.Shuma e përcaktuar nga skema e Ndihmës Ekonomike nuk reflekton nevojat reale dhe aktuale të individëve dhe familjeve, duke qenë se nuk ka një vlerë zyrtare të përditësuar të minimumit jetik në Shqipëri. Njëkohësisht studimet e tjera të kryera mbi vlerën e minimumit jetik nga institucione publike nuk janë marrë dhe nuk mund të merren si shifra zyrtare, për aq kohë sa nuk janë miratuar me akte ligjore apo nënligjore. Por të mos harrojmë se masa e pamjaftueshme e përfituar nga skema e Ndihmës Ekonomike bën që individët të sigurojnë të ardhura me mënyra alternative, gjë e cila stimulon krimin ekonomik.
- B. Mungesa e vlerësimit të ndikimeve të skemës së re të Ndihmës Ekonomike në zonat pilot lidhur me riintegrimin e individëve bën që problemet e hasura gjatë fazës së pilotimit në të ekzistojnë ende tani që skema aplikohet në të gjithë vendin duke cenuar përmbushjen e një kërkese të këtij objektivi strategjik. Por edhe numri i familjeve që kanë dalë nga skema e Ndihmës Ekonomike nëpërmjet përfshirjes në tregun e punës vazhdon të jetë shumë i ulët, duke mos arritur objektivin A5 të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen Sociale 2015-2020. Objektivi strategjik përcakton se brenda vitit 2017 do të përfshiheshin në politikat aktive të tregut të punës 5% e përfituesve të ndihmës ekonomike, ndërsa sipas të dhënave të SHSSH për këtë vit kjo shifër nuk kalon 4%.
- C. Vlerësimi i masës së Ndihmës Ekonomike ndihet i nevojës të përcaktohet si standard ligjor për të ndarë pjesën e popullsisë të varfër nga popullsia jo e varfër në shkallë kombëtare, nivel qarku dhe NJQV. Të bazuarit e politikës së re (2014-2018) të skemës së Ndihmës Ekonomike, mbi modalitetin dhe vlerën e saj, tek një vlerësues i “vjetër” dhe i pa korrektuar me indikatorët e tjerë të varfërisë, tregon qartë për ndryshime joreale dhe mungesë të theksuar transparence të ministrisë lidhur me objektivat dhe targetat që kërkojnë të përmbushin.
Rekomandimet e dhëna në këtë auditim janë të orientuar kah procesit dhe sistemit, duke qenë se vet auditimi shërben si gur kilometrik, të asaj që çfarë është arritur dhe ku konsistojnë problematikat. Në vija të përgjithshme, ndërmjet të tjerave, KLSH ka rekomanduar që:
-Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të marrë masa që së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, INSTAT dhe aktorët e tjerë të përfshirë të përcaktojnë metodologjinë e përllogaritjes së vlerës së minimumit jetik në Shqipëri dhe përditësojnë atë periodikisht.
-Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të hartojë një studim për nxitjen e punësimit, i cili të ketë në fokus vetëm përfituesit e ndihmës ekonomike dhe rritjen e mundësive të tyre për punësim.
-Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të propozojë plotësimin e VKM nr. 956, datë 7.12.2016 “Për përcaktimin e kritereve dhe të detajeve të formulës së unifikuar të pikëzimit për përfitimin e ndihmës ekonomike” duke bërë transparente Formulën e Unifikuar të Pikëzimit që përcakton përfituesit e ndihmës ekonomike, duke përfshirë peshat specifike që vlerësojnë variablat dhe përqindjet e tyre.
-Struktura e auditit në MSHMS të identifikojë dhe argumentojë shkaqet e zgjatjes së afatit për sistemin e pilotuar të skemës së NE në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan dhe zbatimit në nivel kombëtar të skemës së reformuar, duke evidentuar strukturat përgjegjëse dhe efektet financiare.
-MSHMS, në bashkëpunim me institucionet e lidhura, të përcaktojë nivelin real të varfërisë në vend, analizuar sipas nivelit të çmimeve, shportës së konsumit, nivelit të shpenzimeve dhe nivelit të inflacionit, me qëllim për të vlerësuar drejtë kontributin në reduktim të varfërisë dhe ruajtjes së transparencës mbi shpenzimin e fondeve publike për reduktimin e saj.
-MSHMS, në bashkëpunim me institucionet e varësisë, të ndërtojë dhe përditësojë hartën e varfërisë në nivel kombëtar, në nivel qarku dhe në nivel NJQV, në mënyrë që ulja fiktive e numrit të familjeve të varfra në vend përmes daljes nga skema, të mos kthehet si qëllim në vetvete.