Historiani i njohur Jusuf Buxhovi ligjëroi në Universitetin e Tetovës

E mërkurë, 07 November 2018 18:17

Jusuf Buxhovi, shkrimtar dhe historian i njohur nga Republika e Kosovës, sot e vizitoi Universitetin e Tetovës. Ai, fillimisht u prit nga Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i shoqëruar nga dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu, si dhe shefi i kabinetit të tij, Doc. Dr. Faton Shabani. Në këtë takim, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti e përgëzoi historianin nga Kosova për kontributin e vyer intelektual në shërbim të avancimit të proceseve të përgjithshme që zhvillohen në hapësirën gjithëkombëtare, për botimin e një sërë veprash me rëndësi për historiografinë shqiptare, me theks të veçantë veprën kapitale „Kosova“, të përfshirë në tetë vëllime. Rektori, e njoftoi Jusuf Buxhovin me të gjitha etapat e zhvillimit të Universitetit të Tetovës dhe veprimtarinë e begatshme arsimore-shkencore që realizohet në këtë institucion të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në vendin tonë. Në përmbyllje të takimit, Rektori i UT-së, studiuesit Jusuf Buxhovi i ndau një dhuratë me portretin e themeluesit dhe Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.

Gjatë qëndrimit në Universitetin e Tetovës, Jusuf Buxhovi e promovoi vëllimin VI, VII dhe VIII të veprës së tij kapitale „Kosova“, si dhe mbajti një ligjëratë, me temë: „Vendi i shqiptarëve në Maqedoni i parë nga këndvështrimi historik, etnik dhe politik, nga antikiteti deri te koha jonë“. Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, e vlerësoi lartë punën voluminoze të këtij autori, që sipas tij ka bërë shumë dhe të gjitha i ka bërë ashtu siç duhet dhe në këtë aspekt ta kujton Nolin dhe disa studiues të tjerë, njërëz që janë marrë me shumë fusha dhe në të gjitha kanë shkëlqyer”. Po ashtu, dekani i Fakultetit Filologjik, para studentëve dhe profesorëve të pranishëm në këtë promovim, e paraqiti biografinë e gazetarit, shkrimtarit dhe historianit nga Republika e Kosovës. “Jusuf Buxhovi u lind në Pejë, më 4 gusht të vitit 1946. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjakovë. Në vitin 1968 u diplomua në Universitetin e Prishtinës, Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe. Në vitin 1979 i kreu studimet pasuniversitare në Degën e Historisë të Universitetit të Prishtinës. Magjistroi në temën: „Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet gjermane“. Karrierën e gazetarit e filloi në gazetën "Rilindja" të Prishtinës në vitin 1967, fillimisht si gazetar i kulturës, e më vonë redaktor i saj. Nga viti 1976 deri në vinin 2000 ishte korrespondent i përhershëm i gazetës “Rilindja” i akredituar në Bon të Gjermanisë. Ndërsa nga viti 2000-2008, krahas veprimtarisë letrare, u mor me hulumtime historiografike nëpër arkivat gjermane. Ai, nga viti 2008 jeton dhe punon në Prishtinë. Ka vite që me punën e tij prej letrari të shquar dhe historiani të rrallë, Jusuf Buxhovi ka bërë emër të përveçëm në kulturën shqiptare dhe jo vetëm“, deklaroi Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.

Për veprën “Kosova” foli edhe redaktori i saj, Ramadan Musliu, i cili këtë libër e cilësoi si projekt kapital i historisë së Kosovës. Ndërkaq, Jusuf Buxhovi u shpreh se ndjehet i lumtur që ndodhet në Tetovë, respektivisht në Universitetin e Tetovës, për dy çështje mjaftë të rëndësishme. E para, se Universiteti i Tetovës është ndër universitetet më të rëndësishme shqiptare, meqë historiku i këtij Universiteti lidhet me identitetin kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve të Maqedonisë.

„Ndjehem i nderuar që jam pjesë e Juaja, veçmas që këtu po shoh më shumë femra, dhe kjo tregon se megjithatë emancipimi edhe në këtë ambient i ka përmasat çfarë në të vërtetë do të duhej t’i kishte. Sot u shpreha edhe për medien për themeluesin e këtij universiteti, profesor Fadil Sulejmanin, i cili është njeri prej protagonistëve shumë të rëndësishëm jo vetëm intelektualë por edhe politikë, i cili në ditët shumë të rëndësishme të thyerjeve të mëdha që ndodhën në Kosovë, Maqedoni dhe vise të tjera të ish-Jugosllavisë, në rrethana kur Kosova ndodhej nën kërcënimin që disa vite më vonë e përjetoi, Maqedonia ishte një oazë ku siguronte sado kudo që kjo çështje mos e përfshijë gjithë botën shqiptare. Në ato rrethana spektri politik i Kosovës, u përcaktua që në Maqedoni të pranohet një gjendje jo e volitshme, por që nuk do të lejonte përhapjen e krizës, kjo ishte arsyeja e pranimit të Maqedonisë si shtet dhe mbi këto rrethana, ajo që ishte e rëndësishme ishte përcaktimi për një Universitet në Tetovë, i cili në një farë mënyre përkonte me organizimin e shtetit paralel në Kosovë, e që mundësonte një pozicionim të shqiptarëve në RM”, theksoi profesor Jusuf Buxhovi.

Në vijim të fjalës së tij, ai i falënderoi nikoqirët për mikpritjen dhe u shpreh se libri i gjashtë e fokuson Maqedoninë bukur shumë, si luftën në Maqedoni dhe përpjekjen e shqiptarëve që ta kthejnë pozicionimin si subjekt në një ambient të cilin edhe vetë kushtetuta e vitit 1991, zhvillimet që ndodhën në Maqedoni gjatë atyre dhjetë viteve nuk ua garantuan. Ligjërata e tij, me temë: „Vendi i shqiptarëve në Maqedoni i parë nga këndvështrimi historik, etnik dhe politik, nga antikiteti deri te koha jonë“, tërhoqi vëmendjen e studentëve të njësive të ndryshme akademike, të stafit akademik dhe veprimtarëve të njohur të çështjes shqiptare.
Përgjatë 46 viteve të krijimtarisë së tij, Jusuf Buxhovi ka botuar 40 vepra të rëndësishme letrare e historike, ku bëjnë pjesë librat me tregime, novelat, romanet, dramat, libri me vështrime letrare dhe ai me shkrime publicistike dhe, natyrisht, perlat e historiografisë shqiptare, që janë të një rëndësie shumë të veçantë.

Login to post comments