Atentati në Durrës, Edison Harizaj në 2012 u kap në makinë të blinduar me Shullazin

E mërkurë, 07 November 2018 18:49

Shenjestra e atentatit të ndodhur në Durrës Edison Harizaj po hetohej nga prokuroria e Vlorës në lidhje me zhdukjen e shtetasit Albano Xhaferri verën e këtij viti. Ndërkaq në qershor 2012 ai ishte arrestuar në një makinë të blinduar me Emiljano Shullazin tek rrethrrotullimi i Shëngjinit në Lezhë. Edhe pse u la i lirë pas kësaj ngjarje, Harizaj ishte mbajtur në vëzhgim nga policia ndërsa së fundi, prokuroria e Fierit po hetonte një grup prej tre personash të dyshuar si ushtarë të tij.

39-vjeçari Edison Harizaj, i cili mbeti i vrarë pak para mesnatës së mërkurë në Durrës ishte personazh i njohur për policinë e Vlorës por edhe për organet ligjzbatuese në Tiranë. Në qershor të vitit 2012, tek rrethrrotullimi i Shëngjinit, ai u arrestua në një makinë të blinduar me Emiljano Shullazin. Pas verifikimit në polici, i riu nga Vlora u la i lirë por gjatë gjithë kësaj periudhe deri në verën e këtj viti, ka qenë nën mbikqyrjen e policisë.

Edhe në momentin kur u vra me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e të martës në Durrës, Harizaj ishte nën hetim nga prokuroria e Vlorës. Kjo e fundit tha se nuk kishte nxjerrë urdhër arresti apo ndalimi për shkak të mungesës së provave deri në këtë fazë të hetimit. Burime jo zyrtare thonë se prokuroria e Vlorës po e hetonte 39-vjeçarin në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e shtetasit Albano Xhaferri në këtë qytet. Po kështu, burime jo zyrtare nga prokuroria e Fierit, thanë se në këtë institucion ndodhet e hapur, një dosje për tre persona që dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit të Edison Harizajt.

Mes këtyre tre personave në hetim është edhe shtetasi Gazmend Merkaj, i cili në datën 1 gusht 2018 dha alarmin në polici për vendosjen e një sasie eksplozici në makinën e tij të parkuar para policisë së Vlorës. Pas kontrollit të policisë në automjet, u gjet vetëm një pistoletë e shtatë fishekë por jo lëndë eksplozive.

Dyshohet se arma dhe municioni ishin lënë në makinë qëllimisht nga Merkaj për të inkriminuar vetveten me qëllim që të mbahej në gjendje arresti. Pas arrestimit, ai tha në polici se kishte dijeni mbi rrëmbimin dhe zhdukjen e Albano Xhaferrit dhe se jeta e tij në Vlorë ishte në rrezik. Burime të prokurorisë, thanë se deri në këtë fazë, nuk janë gjetur prova për vërtetësinë e thënieve të të penduarit që rezulton i dënuar nga gjykata me 8 vjet burg për grabitje me armë në vitin 1996.

Login to post comments