Edison Harizaj dyshohet të ketë qenë objektiv i atentatit me armë mbrëmjen e së martës në Durrës. Redaktori i lajmeve në Ora News, Trazhgim Sokolaj, duke folur rreth hetimeve tha se Harizaj nuk rezulton të ketë qenë pjesë e grupit të Shullazit.
Sokolaj: Nga hetimet e deritanishme, Edison Harizaj, dyshohet se ka qenë objektiv i atentatit për shkak se personi tjetër që ndodhet në automjet nuk rezulton i skeduar me precedentë zyrtarë penalë. Harizaj është i njohur në Vlorë dhe jo vetëm. Është aluduar gjatë ditës se mund te jetë pjesë e grupit të Shullazit por në dijeninë dhe informacionet që kam nuk më rezulton të jetë pjesë e të njëjtit grup. Në 2012, në zonën e Lezhës, në afërsi të kryqëzimit të Shëngjinit, janë kapur në një makinë të blinduar me armë pa leje. Kanë qenë të dy bashkë në makinë, kanë kryer dënimin për atë ngjarje dhe janë liruar.Viktima nga Vlora është liruar me kusht disa kohë pasi të kryente dënimin e plotë të dhënë ndaj tij. Nuk rezulton asnjë precedent tjetër që Edison Harizaj dhe Emiliano Shullazi, të jenë implikuar në një ngjarje tjetër ku provat apo dëshmitë të kenë çuar që këta të dy janë pas kësaj ngjarje.
Sa i takon autorëve, deri mbrëmjen e sotme janë 30 persona të shoqëruar në polici, por ende asnjë i dyshuar.
Sokolaj: Policia e Durrësit ka shoqëruar të paktën 30 persona, janë persona me precedentë, persona që janë gjetur afër vendit të ngajres, persona me të cilët dy viktimat kanë pasur komunikime sepse telefonat e tyre celularë janë duke u kqyrur nga grupi hetimor. Nuk ka asnjë person të dyshuar për momentin. Të vetmet pista që policia ka hedhur dhe po verifikon është vrasja për hakmarrje që lidhet me disa ngjarje që në mënyrë jo zyrtare dhe të pa provuar i janë faturuar Harizaj në Vlorë. Një mundësi tjetër është për larje hesapesh ose konflikte mes grupeve që kanë aktivitet kriminal. Por edhe në këtë rast deri tani policia nuk ka një autor konkret të dyshuar për këtë ngjarje.
Sokolaj tha se edhe njëri nga dy të rinjtë e zhdukur në Vlorë ka lidhje me Harizaj.
Sokolaj: Njëri nga personat e zhdukur, Albano Xhaferri, dyshohet se ka lidhje me rastin e mbrëmshëm. Sot më kanë konfirmuar nga burime të prokurorisë se prokuroria e Vlorës kishte bërë një regjistrim penal për rrëmbimin dhe zhdukjen e Albano Xhaferrit ku person në hetim ishte dhe Edison Harizaj që u vra në Durrës. Hetimi vazhdonte dhe nuk kishin siguruar prova të mjaftueshme për arrestimin e tij. Por policia e kishte në mbikqyrje. Personi i vrarë në Durrës nuk kishte asnjë precedent të ngjarjeve të dhunshme në Vlorë.
Sa i takon operacionit "Forca e Ligjit", gazetari i kronikës Sokolaj thotë se ndryshe nga çfarë është proklamuar, rezultatet nuk kanë qenë ato që priteshin.
Sokolaj: Operacioni "Forca e Ligjit" është një operacion atipik për arsye se nuk kishte një precedent që policia shqiptare të fillonte një operacion që nuk ka një kufizim në kohë. Kishte ndodhur të bëheshin operacione ku kishte një numër personash për të cilët ishte prerë flet-arresti dhe kishte një kohë, dy dite, tre ditë, një javë, një muaj. Operacioni "Forca e Ligjit" ka filluar vitin e shkuar dhe çdo ditë policia publikon rezultate që i fut në këtë pjesë. Është thënë zyrtarisht nga Ministria e Brendshme që janë evidentuar 46 grupe kriminale, deri tani janë goditur 4-5 prej tyre. Me përjashtim të "Vol-vo 4" dhe grupit Bajri, nuk mund të thuhet se janë bërë goditje të mëdha. Ndërsa "Ndëshkimi i të fortëve" është një zgjatim i operacionit "Forca e Ligjit".