Të shtëna me armë zjarri janë shënuar rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm në kryeqytet, në bulevardin “Bajram Curri”. Nga të shtënat, nuk raportohet për të lënduar.
Sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes nga policia, E.D. 32 vjeç, ka qëlluar në drejtim të një makine tip “Fiat Punto” brenda së cilës ndodheshin dy persona: K.M 23 vjeç dhe L.M 34 vjeç.
Nga hetimet paraprake të policisë ka rezultuar se personat e sipërpërmendur u konfliktuan më herët në një lokal për motive të dobëta.
Pasi u larguan nga lokali, E.D. i ka ndjekur me makinë dy më të rinjtë dhe dyshohet se ka gjuajtur me armë në drejtim të mjetit me të cilët ata lëviznin.
Një hetim ka nisur lidhur me ngjarjen, ndërsa E.D. është shpallur në kërkim policor. Ndaj tij janë ngritur 3 akuza: “Kanosje”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.