Përse u lejua një antishqiptar të madh të futej në kufi?!

E Enjte, 08 November 2018 13:46

Fillimisht u njoftua se ishte ndaluar në kufi dhe nuk ishte lejuar që të hynte në territorin shqiptar por antishqiptari më i madh, Babis Harallamb Karanathano, na shfaqet në Bularat.

I qetë dhe i pa ngacmuar nga askush ekstremisti dhe ultranacionalisti grek na shfaqet në pamjet që na vijnë live nga ajo që në fakt do duhet të ishte thjesht një ceremoni normale mortore dhe që u shndërrua në një manifestim me thirrje antishqiptare.

Ultranacionalisti grek, i ndaluar sot në kufi për të hyrë në territorin shqiptar, Harallamb Karathano, është i njohur për qëndrimet e tij ekstremiste.

Ai ka qenë gjithnjë protagonist në të gjitha përplasjet e forta që kanë ndodhur në Himarë me autoritetet shqiptare, pasi ka marrë pjesë gjithnjë në proceset zgjedhore të ndodhura në këtë bashki.

Gjithnjë ka nxitur konflikte, ka hyrë në Shqipëri dhe ka organizuar aktiviteti të ndryshme antishqiptare. Kurrë nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë nga autoritet shqiptare.

Por cilat janë bindjet e Karathanos, cilat janë planet e tij dhe ccfarë nënkupton ai me të ashtuquajturin Vorio-Epir.

Në një intervistë të dhënë gati 11 vite më parë për korrespondentin e atëhershëm të Top Channel në Athinë tregon se gjithçka ka qenë e organizuar për një dhe ka pasur një lëvizje të qartë për autonominë e ‘Vorio-Epirit’.

“Menjëherë pas rënies së komunizmit në Shqipëri ka pasur kërkesa për autonomi nga shoqatat vorio-epirote. Në krye të tyre ishte organizata “OMONIA”. Pikërisht kjo organizatë ka qenë përfaqësuese legjitime e minoritetit grek në Shqipëri.

Kjo kërkesë është bërë publike nëpërmjet krerëve të saj të atëhershëm. Bëhej fjalë për një kërkesë për autonomi të të gjithë Vorio-Epirit. Dhe si synim në atë plan ishte autonomia e krahinës dhe jo shkëputja e territoreve. Por autonomi politike, kulturore dhe ekonomike.

Bëhej fjalë për një formulë ekonomie si ajo e Tirolit në Itali, apo si e Kosovës në kohën e Titos”, thotë Karathano.

Ai i referohet Protokollit të Korfuzit dhe pretendon se grekë paska në disa zona të rëndësishme në jug të Shqipërisë.

“Krerët e Omonia-s donin të aplikonin Protokollin e Korfuzit. Marrëveshje kjo e njohur më parë nga shteti shqiptar. Prandaj nuk kishte pse të mos bëhej.

Omonia në atë periudhë kërkoi autonominë në të gjitha nivelet e organizmave ndërkombëtarë. Kjo formulë parashikonte përdorimin e gjuhës greke, flamurit grek, drejtimin në nivel lokal, por e theksoj: Nuk donim shkëputje.

Ne themi se grekët jetojnë në Korçë, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë, në të gjitha zonat që përshkruhen në Protokollin e Korfuzit, të cilin e kanë firmosur edhe vetë shqiptarët. Pra, për ne kjo është zona e Vorio-Epirit, ne këtë njohim. Ne këtë kërkojmë”, pati deklaruar në intervistën e dhënë në vitin 2007, ekstremisti dhe ultranacionalisti grek, Harallamb Karathano.

Modifikuar më E Enjte, 08 November 2018 13:54
Login to post comments