KE: Shqipëria nën një rrezik të ri, rritja ekonomike do të ngadalësohet në 2019

E Enjte, 08 November 2018 14:18

Komisioni Europian, në përditësimin më të fundit të ecurisë së ekonomisë europiane, në kapitullin dedikuar Shqipërisë, vë theksin te fakti se, vitin e ardhshëm rritja ekonomike do të ngadalësohet.

Kjo, pasi pritet që prodhimi energjetik të bjerë, duke i`u larguar niveleve të vitit aktual. Shirat e shumtë gjatë gjysmës së parë të vitit bënë që prodhimi energjetik në vendin tonë të rritej ndjeshëm.

Kjo prodhoi edhe shifra të fryra të rritjes ekonomike, që mesa duket nuk do të transmetohen dot edhe vitin e ardhshëm, sidomos në një kohë që thatësira kërcënon jo vetëm energjetikën, por edhe bilancet e qeverisë e sidomos borxhin.

Kështu, Komisioni Europian projekton një rritje ekonomike në 4.1% këtë vit, dhe 3.9% vitin e ardhshëm si dhe në 2020. Sa i përket projeksioneve të këtij viti, ato regjistrohen në rritje të ndjeshme.

Vetëm një muaj më parë, kur publikonte raportin e ecurisë ekonomike të vendeve kandidate. Komisioni Europian fliste për një rritje ekonomike të Shqipërisë në 3.6%, ndërsa sot flet për 4.1% rritje ekonomike.

Për vitin e ardhshëm, projeksionet mbeten të pandryshuara. Në terma të përgjithshëm, Komisioni Europian nënvizon faktin se, shpenzimet familjare do të vijojnë të jenë lokomotiva e rritjes ekonomike, duke marrë shtysë edhe nga kushtet e favorshme të kreditimit, inflacioni i moderuar së bashku me rritjen e punësimit dhe rritjen e moderuar të pagave.

Kështu, paralajmërimet e vazhdueshme të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, në lidhje me varësinë e financave shqiptare nga kushtet e motit, po dalin të bazuara, duke u kthyer në realitet.

Moti, së bashku me largimin e investimeve të huaja madhore në vend, si TAP dhe Devolli, duket se do të jenë nxitësit kryesor të ngadalësim ekonomik të vendit tonë në vitet e ardhshme, nën 4%.

Login to post comments