Kryqëzohet Bushati: Njohja e patentave me Greqinë nuk është zbatuar, ankesat e emigranteve në Itali

E Enjte, 08 November 2018 14:22

Marrëveshja për njohjen e patentave me Greqinë pavarësisht se është firmosur në muajin maj 2018, ende nuk është zbatuar në terren. Shqetësimin e ngrenë shqiptarët që jetojnë në Greqi gjatë një interpelance me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati. Ministri tha se marrëveshja ka ngecur nga pala greke.

“Njohja e patentave. Në muajin maj u nënshkrua një marrëveshje, po pavarësisht firmosjes akoma nuk ka filluar zbatimi në terren. Kjo përkthehet në gjoba nga 700 deri në disa mijë euro në xhepat tanë”, shprehën shqetësimin shqiptarët që jetojnë në Athinë.

“Në lidhje me paketën që kemi firmosur edhe marrëveshjen për njohjen e ndërsjellët të lejeve të qarkullimit të automjeteve, qeveria shqiptare i ka hedhur hapat me shpejtësi maksimale, kjo marrëveshje është mbyllur. Nga ana tjetër me keqardhje, pala greke ende si ka nisur procedurat e miratimit të kësaj marrëveshje për së brendshmi. Pra është hedhur firma nga mua dhe homologu grek para pak muajsh, por do duhet të votohet nga qeveria greke, në mënyrë që të dyja palët të njoftojnë për fillimin e efekteve të kësaj marrëveshje.

Shpresoj shumë që pala greke të përfundojë një herë mirë këtë procedurë. Kjo është një marrëveshje tip, nuk është një marrëveshje e sofistikuar që do t’i duhej një vullnet më i madh politik për ta përfunduar. Është një marrëveshje që ka të bëjë me lehtësira të do të duhet t’i ofrohen qytetarëve në praktike në fakt të dyja vendeve, pavarësisht se më shumë ka shtetas shqiptarë që jetojnë në Greqi, sesa shtetas grekë që jetojnë këtu në Shqipëri”, deklaroi ministri.

Bushati u garantoi shqiptarëve të Athinës se qeveria shqiptar do të bëjë çmos për çmontimin e barrierave mes dy vendeve.

“Në emër të shteti shqiptar, është vendosmëria jonë për të punuar me qeverinë greke, për të zbatuar një më një marrëveshjen. Në dy tre javët e fundit, pavarësisht incidenteve në Bularat, nga bisedat qe kemi pasur me palën greke kemi qenë në një faqe për të vijuar dhe çmontuar barrierat që ekzistojnë mes dy vendeve tona”.

Shqiptarët që jetojnë në Itali ngritën si shqetësim zgjatjen e procedurave për transferimin e dokumenteve apo humbjen e pasaportave në shtetin italian, si dhe çështjen e kostos së përkthimeve.

“Të gjitha këto politika që synojnë lehtësi të ofrimit të shërbimeve, nuk mund të jenë të një anshme. Duhet vullnet i dyanshëm. Sot për sot, nëse kërkon një leje kalimi të dokumenteve, mjafton të aplikosh online. Ne rast të humbjes së pasaportës, ne do të reduktojnë një hallke, shkuarjen te policia, për të shkuar direkt në konsullatë e për t’u pajisur me një pasaportë të re.

Certifikimi i përkthimit të dokumenteve ka kosto sepse ka dy hallka, ambasadën dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ne i kemi kërkuar qeverisë italiane të shkurtojmë njërën hallkë, e cila do të jetë ambasada. Dhe ministria e punëve të jashtme do të mbajë përgjegjësi të plotë për dokumentet e përkthyera.”

Login to post comments