Nxitje e re për eficencë në energji me mbështetjen e BE-së, Austrisë dhe donatorëve dypalësh…
Sektori privat i ndërtimit dhe rezidencial në Shqipëri do të përfitojë nga një akses më i gjerë në financim, falë huasë prej 6 milionë eurosh që Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i mundëson Union Bank Albania.
Financimi i ri për Shqipërinë mundësohet nëpërmjet Programit 85 milionë euro të BERZH për Ballkanin Perëndimor, për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër. Programi është një nismë e përbashkët e Bashkimit Europian (BE), donatorëve dypalësh dhe vendet përfituese, të cilat bashkëpunojnë nën Kuadrin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe implementohet në partneritet me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë. Ministria Federale Austriake e Financave do të mundësojë lehtësi dhe bashkëpunim teknik në mbështetje të investimeve për teknologjinë e gjelbër.
Union Bank, klient i BERZH që prej vitit 2008, do t’jua huazojë këto fonde klientëve të saj në mbështetje të investimeve në projekte me performancë të lartë eficence në energji në banesa private ose në ndërtesa rezidenciale. Klientët do të kenë mundësi të investojnë në izolim, panele diellore, bolierë eficentë dhe teknologji të tjera të gjelbra.
Mbështetja e BERZH për investime në energjinë e gjelbër vjen në sajë të angazhimit të BERZH ndaj objektivave të Marrëveshjes së Parisit në vitin 2015. Për të dhënë kontributin e saj ndaj këtyre objektivave, BERZH ka si synim që 40% të investimeve të saj vjetore prej rreth €9 miliardë të jenë financime për klimën. Ky synim është tashmë drejt përmbushjes.
Programi i GEFF mundëson financim për përmirësimin e eficencës energjetike në banesa nëpërmjet një rrjeti prej më shumë se 130 institucionesh financiare lokale në 24 vende, të mbështetura me rreth €4 miliardë fonde nga BERZH.
Henry Russell, Drejtor i BERZH për Institucionet Financiare në Ballkanin Perëndimor, Bjellorusi, Moldavi dhe Ukrainë u shpreh: “Ky është rasti i parë ku një bankë në Shqipëri bëhet pjesë e këtij programi të vlerësuar ndërkombëtarisht, me qëllim përdorimin e fondeve të këtij programi për klientët përdorues dhe tregtues të teknologjisë së gjelbër në Shqipëri. Bashkë me Union Bank dhe me mbështetjen e Bashkimit Europian, Qeverinë Austriake dhe Kuadrin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, ne do të punojmë për të rritur kreditimin për eficencën në energji të banesave dhe për të nxitur konkurrueshmërinë në sektorin financiar.”
Gazmend Kadriu, Drejtor i Përgjithshëm i Union Bank shtoi:
“Në bashkëpunim me BERZH-in, Union Bank ka implementuar një numër projektesh të suksesshme. Nëpërmjet kësaj kredie të re nga programi i GEFF, Union Bank do të ketë mundësi të mbështesë investime në projekte me eficencë energjie në banesat private. Duke zgjeruar kredidhënien për eficencë energjie në banesa private, ne promovojmë më tej objektivat tona sociale dhe mjedisore”.