Është djegur makina e juristit të ZVRPP (Hipotekës) në Vlorë. Automjeti tip BMË në pronësi të Ervin Piero, 31 vjeç, është djegur dje gjatë natës ndërsa ndodhej e parkuar në një zonë afër Rrugës Transballkanike.
Nga hetimet paraprake dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, për shkak të detyrës.
Makina me targë AA 990 SE është përfshirë nga flakët në pjesën e përparme të saj, por ndërkohë nga zjarri është dëmtuar dhe një automjet tjetër që ishte parkuar pranë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:35 të së mërkurës, ndërsa është precedenti i dytë i regjistruar në vetëm pak ditë me djegie makinash në qytetin e Vlorës. Ervin Piero, 31-vjeçari, në pronësi të cilit rezulton makina tip BMW, është punonjës në ZVRPP-në (Hipotekën) e qytetit bregdetar, me detyrë jurist.
Nisur nga kjo, dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje me funksionin e tij. Gjatë marrjes në pyetje, vetë Ervin Piero ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt. Burime nga Policia e Vlorës kanë saktësuar se 31-vjeçari kishte vetëm pak ditë që lëvizte me këtë automjet, pasi prej kohësh ndodhej në servis.
Grupi hetimor që po merret me zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së zonës përreth ku ndodhi ngjarja, me qëllim rënien në gjurmët e autorëve të zjarrvënies. Gjithashtu, po merren në pyetje persona që mund të kenë vërejtur lëvizje të dyshimta gjatë natës, atëherë kur ndodhi ngjarja.
Ndërkohë që automjeti i juristit të Hipotekës ka marrë dëmtime të shumta në pjesën e motorit, automjeti tjetër, “Volksëagen” me targë AA 825 LU, ka shpëtuar me dëmtime fare të lehta në pjesën e përparme.
Ky është rasti i dytë në një hark të shkurtër kohor prej tri ditësh ku ndodhin ngjarje të tilla të djegies së makinave.