Ka vazhduar edhe sot protesta e banorëve të Astirit, të cilët kanë bllokuar rrugën prej ditësh pas lajmit të shembjes së 317 ndërtesave që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor në zonën e Unazës së re.
Banorët për Fax News tha se se kryeministri nuk ka asnjë të drejtë që të shembë ndertesat në këtë zonë. Teksa kërkuan një zgjidhje ligjore të situatës, kërkuan njëherësh më shumë seriozitet nga ana e qeverisë, pasi sipas tyre asnjë përfaqësues nga maxhoranca nuk është takuar me ta.
Mes protestuesve kishte edhe shumë fëmijë, të cilët kërkoni që shteti të mos i nxirrte në rrugë.
Një prej tyre foli për televizionin Fax News, ndërsa i ngashëryer tregoi momentin kur dy persona i kishin shkuar në shtëpi dhe i kanë kërkuar ta lirojë atë.
“Përshëndetje! Unë jam një banor i kësaj lagjje. Kam shtëpinë 3-katëshe. Tano z. Edi Rama, i bëj thirrje. Tani ai dërgon dy njerëz dhe vetëm vijnë e më thonë mua ti merr plaçkat edhe dil në rrugë të madhe, pse ça jam unë, kanoçe? Jo mo njeri. Unë shtëpinë time do ta ruaj me gjak, se prindërit e mi bashkë me gjyshërit e mi e kanë bërë me lekë djerse jo me lekë droge. Ai e ka futur kokën e vet në një shtëpi 3-katëshe, kurse unë të iki me qira. Po sa më ka vajtur mua ajo shëpi, nuk më duhen as dy vjet”, deklaroi vogëlushi.
Ndërkohë edhe dje në protestë një tjetër fëmijë foli kundër vendimit për prishjen e shtëpisë së tyre. Me banderolën “Zaho thuaj babit të mos na prishë shtëpinë” një djalë i quajtur Klevis Hyska, i cili u shpreh se është këngëtar, rrëmbeu mikrofonin i përlotur dhe i emocionuar dhe betohet se do ta mbrojë me gjak atë shtëpi.
“Unë jam Klevis Hyska, këngëtar, disa me njihini. Dua ti bëj thirrje zotit kryeministër Edi Rama dhe kryetarit të bashkisë Erion Veliaj.
Deri dje, unë për z. Erion Veliaj dhe z. kryeministrin nuk mbahet mend sesa koncerte kam kënduar, sa koncerte, kam lodhur zërin tim për të gjithë ato koka të mëdhaja shteti. Dhe ato të ma shpërblejnë ashtu! Kurrë! Poshtë! Poshtë! Do ta mbroj me gjak atë shtëpi, prindërit e mi e kanë bërë me djersë. Nuk janë lekë droge, janë lekë djerse. Poshtë oligarkët, poshtë hajdutët.”-u shpreh djali i emocionuar. FAXNEWS