Gjysma të legalizuar, e gjysma të palegalizuar banorët që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe në zonën e Astirit, akuzojnë qeverinë për standarde të dyfishta. Ata thonë se kryeministri ka shkelur premtimin për legalizimet, ndërsa po u jep dëmshpërblime qesharake e po i trajton si “njerëz të dorës së dytë”.
Elton Skënderi thotë se kjo është e katërta herë që autoritetet vijnë për ta njoftuar se një pjesë e ndërtesës së tij do të prishet. Tre herët e para Skënderi ka pranuar dhe është shtyrë për t’i bërë vend rrugës, por këtë herë thotë se do të kundërshtojë deri në fund, nëse nuk i jepet një dëmshpërblim i drejtë.
Ndërsa shkëputet herë pas here për të folur me ndonjë person që ndalon për të rregulluar biçikletën në një kthinë që shërben si dyqan në katin e parë të ndërtesës tre katëshe e shënuar për tu shembur, Skënderi thotë se asnjëherë nuk ishte dëmshpërblyer. “Deri tani asnjë shënim me shkrim dore nuk na kanë lënë”, thotë burri rreth të 40-tave.
E ngjashme është situata për pjesën më të madhe të banorëve të zonës që njihet si “Unaza e Re”, nga hyrja e Kombinatit e deri te “Dogana” apo Sheshi Shqipoja. Shumica e tyre thonë se kjo është hera e tretë dhe në ndonjë rast e katërta, që autoritetet i njoftojnë për të braktisur shtëpitë dhe bizneset sepse preken nga “Unaza e Madhe e Tiranës”, projekti që ka nisur që prej më shumë se dy dekadave.
Dy javë më parë banorët thonë se punonjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Bashkisë së Tiranës, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, dhe ALUIZNI-t, kaluan në rrugë për të njoftuar ndërtimet që prekeshin nga projekti në dy krahët e saj. Një pjese prej tyre u është thënë se kishin dy javë kohë për të lëvizur nga shtëpitë apo bizneset, të tjerëve u janë dhënë vetëm 10 ditë.
Në një reagim zyrtarë në fillim të këtij muaji Drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Hipotekës, ALUIZNI-t dhe Bashkisë Tiranë, pretenduan se për momentin ishin në fazë verifikimi dhe matjesh. Ata thanë se ndërtesat që prekeshin ishin rreth 317 në të gjitha segmentet e Unazës së madhe dhe binin në disa kategori. Shumica rreth 163 ishin të palegalizuara dhe procesi do u ndërpritej, 123 ishin me vërtetim pronësie, 22 ishin skualifikuar, ndërsa disa kishin statuse të ndryshme ose ende të papërcaktuara.
Banorët, një pjesë e të cilëve thonë se i kanë godinat prej kohësh në proces legalizimi e madje se kanë paguar tarifat e kërkuara prej këtij procesit, kanë dalë në protestë ndërsa pretendojnë se po trajtohen në mënyrë të padrejtë. Për ditë me rradhë ata bllokuan rrugën dhe të hënën protestuan para Bashkisë së Tiranës. Ata thonë se deri tani askush nuk i ka pritur dhe askush nuk i ka sqaruar përtej faktit të thënë me gojë se gjurma e rrugës u prekte shtëpitë apo bizneset.
Trajtimi i diferencuar
Diamand Muja thotë se ata ndjehen të “prerë në besë”, pasi para 5 vjetësh u ishte premtuar legalizim falas dhe madje njerëzit që e kishin besuar këtë kishin bërë fushatë për Partinë Socialiste. Ai thotë se trajtimi është i padrejtë dhe se ndërsa për shumicën procesi i legalizimit është ndërprerë, fqinjët në të njëjtën vijë rruge kanë marrë hipotekë apo lejet për godinat e tyre. “Situata është e paqartë. Mund të jenë dy vëllezër e një ka letra, e tjetri nuk ka. Njëri e ka bërë legalizimin, tjetri jo se s’ka pasur të paguaj rryshfet”, thotë Muja.
Të njëjtin qëndrim ka edhe Sinan Çuni, i cili po ashtu akuzon autoritetet për diferencim bazuar mbi klientelizëm e rryshfete. Çuni thotë se ishte vendosur aty që në vitin 1985 dhe se kishte 18 vjet që priste legalizimin. “Ky (Edi Rama) premtoi legalizime falas, se s’do i bënte fare”, thotë ai, ndërsa tregon se ende nuk e dinte sa pjesë të ndërtesës prishej dhe nëse do i mbetej diçka pas kësaj.
BIRN kontaktoi po ashtu banorë që ndërsa preken nga e njëjta vijë rruge, por që ndryshe nga fqinjët kishin marrë tashmë hipotekë për shtëpitë apo pronën. Një prej tyre, ndërsa kërkoi të mos përmendej për shkak të funksionit, tha se megjithatë nuk ishte i kënaqur me dëmshpërblimin që i ishte premtuar.
“Unë kam rivlerësuar shtëpinë dhe vlera është caktuar mbi 400 mijë euro, por dëmshpërblimi sipas çmimit të referencës është diku rreth 80 mijë euro”, thotë burri që shpreson se mund të fitojë diferencën në gjyq.
Përndryshe një grua që punon rrobaqepëse në katin e parë të ndërtesës dhe ka sipër shtëpinë pak metra më tutje në të njëtin krah të rrugës, do të humbasë gjithçka. Ajo thotë se nuk u kanë sqaruar asgjë, përveç se i kanë njoftuar se ndërtesa do prishet, ndërsa tregon se ende nuk kanë shlyer borxhet për ndërtimin e bërë dhe megjithëse kanë paguar tarifat për legalizim, sipas saj 3 mijë euro, u njoftuan vetëm sëfundmi se procesi ishte pezulluar. “Mos e përjetoftë kush. Jemi pa gjumë prej neësh të tëra”, thotë ajo.
Kjo nuk është hera e parë që qeveria paralajmëron apo prish ndërtime që bien në vijën që mendohet se do të përshkruaj rruga, ndërsa banorët i kundërshtojnë me protesta e pretendojnë për padrejtësi. Një vit më parë dhjetra banorë në Shkozë u shpronësuan dhe shtëpitë e tyre u prishën pavarësisht se një pjesë pretendonin se kishin dokumente.
Në Shkurt 2016 projekti preku komunitetin rom në Selitë, të cilët po ashtu u shpronësuan mes protestave dhe me ndërhyrjen e policisë. E ngjashme është historia në Bulevardin e Ri të Tiranës dhe një sërë projektesh infrastrukture në mbarë vendin, ndërtimi i të cilave ka kaluar përmes prishjes së banesave, ndërsa banorët kanë kundërshtuar dëmshpërblimet bazuar në çmimet e referencës, mosmarrjen në konsideratë të procesit të legalizimit dhe ndërhyrjen arbitrare në një kohë të shkurtër.
Dëmshpërblimi i papërfillshëm
Në daljen për media në fillim të këtij muaji, përndryshe nga sa thonë banorët se ishin njoftuar për të braktisur në pak kohë godinat, drejtuesit e pesë institucioneve përgjegjëse nuk dhanë datë për prishjen në zonën e Astirit deri të rreth-rrotullimi i njohur si Sheshi Shqipoja. Ata thanë se ndërtesat me leje do të dëmshpërbleheshin sipas ligjit, ndërsa për pjesën tjetër të banorëve bashkia e Tiranës ofronte 1 vit bonus qiraje dhe trajtim me prioritet për banesat sociale.
Por shumica e banorëve përfshi ata që kanë hipotekë të pronës dhe të tjerë që janë në proces legalizimi e kanë refuzuar ofertën. “Këta na thonë japim një vit bonus qiraje. Një vit me qira dhe pastaj vrit veten. Të duhet një jetë tjetër për të ndërtuar sërish një shtëpi”, thotë Sinan Çuni. Çuni pretendon se është një nga banorët më të vjetër të zonës. Ai thotë se ishte vendosur aty rreth vitit 1985 dhe më pas kishte privatizuar një objekt të ushtrisë, ndërsa veç tij kishte ndërtuar një shtëpi dykatëshe dhe disa dyqane njëkatëshe. Të gjitha ndërtimet preken nga gjurma e re e rrugës.
Por Çuni, që tregon se kjo ishte hera e tretë që banesa e tij prekej thotë se ende nuk ka qartësi se çfarë do të ndodhë. “Erdhën këta të ARRSH, Bashkisë, Inspektoriatit, ishin katër institucione dhe na thanë ditën e parë që nuk ju preket shtëpia. Pastaj erdhën sërish të nesërmen që preket pesë metra dhe do e hedhin në tokë”, thotë ai.
Një histori të ngjashme tregon edhe Shpëtim Billa. “Një nga ata (topografët) punonjësit e ARRSH-së, ndaloi këtu për të bërë matje, pastaj tha që aparati ishte prishur, ndërsa me gojë më tha që rruga hynte deri 13 metra pas shtëpisë time”, thotë ai.
Prishja ndërkohë ka filluar me Shqipojën e vendosur në mes të rreth-rrotullimit si monument në ditët e 100 vjetorit të pavarësisë. Të hënën fadromat ishin ende duke pastruar sheshin. Rrëzimi i saj u shoqërua me replika mbi estetikën dhe përdhosjen e simboleve kombëtare, mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha e kreut të PD-së Lulzim Basha.
Por prej aty deri te mbikalimi pranë fabrikës së birrës banorët në të dy krahët e rrugës, nuk kanë pasur kohë të mendojnë për këtë. Ata thonë se po humbasin kursimet e jetës dhe se në këmbim, ndërsa nuk e dinë as nëse mund të përfitojnë nga dëmshpërblimet apo në çfarë sasie do të jenë ato. “Për tre kate shtëpi, mundi i një jete, dëmshpërblimi është një vit bonus qiraje”, thotë Elton Skënderi.
Një prej banorëve i tregoi BIRN një hartë shpronësimesh të marrë nga ARRSH. Një vijë e trashë e kuqe mbi një fotografi nga “Google Maps” tregon ndërtesat që preken. Ai thotë, duke kërkuar të mos përmendej prej frikës se institucionet mund të hakmerreshin ndaj tij, se në hartë dallohet ndërhyrja selektive. Ai shpjegon se rruga zgjerohej në mënyrë të pabarbartë, duke prekur më shumë krahun e djathtë (nëse je duke zbritur nga “Pallati me Shigjeta” për te “Dogana”).
Të njëjtën histori për abuzim dhe klientelizëm përmendin edhe banorë të tjerë. Ata i thanë BIRN se rruga ishte zgjeruar më shumë se sa ç’ishte nevoja për të krijuar hapësira që do përdoreshin më vonë për ndërtim pallatesh. Çuni i tha BIRN se disa metra ishin shtuar me kërkesë të Bashkisë së Tiranës, për korsi biçikletash.
Pretendimet për abuzime dhe korrupsion i ka mbështetur edhe Partia Demokratike. Deputetë të kësaj të fundit kanë marrë pjesë në protestat e organizuara nga banorët, ndërsa në disa dalje për mediat PD ka denoncuar tenderin. Zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa, tha në një deklaratë se tenderat për këtë segment janë abuzivë, ndërsa kompanitë janë përzgjedhur në shkelje të ligjit. “Janë 40 milionë euro të shpërndarë praktikisht pa garë tek tre kompani, të cilat janë shpallur fituese, sepse pjesëmarrësja e dytë në tender, nuk ka dhënë asnjë ofertë”, tha Zhupa më 7 nëntor.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, të cilit banorët e pritën me protesta ndërsa hynte në për të dhënë një intervistë në emisionin “Open” në Top-Channel, pretendoi se PD ishte pas protestës. Gjiknuri megjithatë ndryshe nga sa ishte thënë nga autoritetet në deklaratën zyrtare në 5 nëntor, tha gjatë intervistës se qeveria do e bënte 3 vjet bonusin e qirasë për familjet që nuk dëmshpërbleheshin për shkak të dokumenteve.
Pretendimet për arbitraritet
Premtimet sidoqoftë nuik i kënaqin banorët. Ata i thanë BIRN se ndjeheshin të “prerë në besë”, pasi kishin pritur për vite të legalizoheshin, ndërsa askush ende nuk i kishte sqaruar se çfarë do të ndodhte.
Diamand Muja i tha BIRN se ata po trajtoheshin si “njërëz të dorës së dytë” dhe se shihte te qëndrimet e qeverisë ndaj tyre “racizëm”. Sipas tij pas prishjeve të vitit 2004 ato ishin njoftuar se rruga mbyllej aty dhe se nuk do të kishte ndërhyrje të tjera. Megjithatë Muja thotë se qeveria ndërhyri sërish në vitin 2014.
Burri thotë se në gjithë këto ndërhyrje një sqarim me banorët ka munguar. Ai shpjegon se janë lënë në errësirë dhe se u kërkohet të braktisin gjithçka në pak ditë, pavarësisht se sa e vështirë është kjo për familjet. “Llogarit vetëm shkollën e fëmijëve”, thotë ai.
Sipas Mujës situata do të ishte ndryshe nëse banorët do ishin sqaruar dhe do u ishte bërë me dije plani para një apo dy vjetësh për tu dhënë kohë të lëviznin dhe të përshtateshin. Megjithatë ai thotë se nuk pret që kjo të ndryshojë.
I ulur në dyqanin e elektroshtëpiakeve bashkë me të tjerë banorë, Muja thotë se qeveria ka qenë edhe herët e tjera arbitrare. “Na njoftojnë me gojë dhe letrat i sjellin 5 minuta para se të vijë fadroma”, thotë ai, duyke shpjeguar se banorëve nuk u lihej kohë të ankimonin vendimet e qeverisë dhe se çdo gjë bëhej fakt i kryer.
Të njëjtin pretendim ka edhe Shpëtim Billa, i cili ka ndërtuar bashkë me vëllezërit një godinë trekatëshe, gjysma e legalizuar e gjysma jo. Billa thotë se punonjësit e ARRSH nuk e kishin sqaruar për dëmshpërblimin pasi nuk e dinin. “Na kanë thënë që fondi ka dalë për rrugën, por jo për dëmshpërblimet e banorëve. Nuk ndodh kjo në asnjë vend të botës, që shteti të kujdeset fillimisht për ndërtimin e pastaj për ata që preken”, thotë Billa i revoltuar./BIRN