"Rilindja" me karriera abuzive mermeri në zemër të Parkut Kombëtar Pyjor të Leskovikut dhe Kolonjës

Tuesday, 13 November 2018 14:30

Nga Fatmir Guda

Harresa dhe përbuzja do të ishte më e pakta që pushteti i "rilindjes" do t'i rezervonte Leskovikut dhe Kolonjës. Sepse përveç papunësisë dhe varfërisë të ulur këmbëkryq aty, një babëzi e pashterur po spikat tanimë në plan të parë, teksa konstaton me keqardhje që një grusht njerëzish të lidhur me pushtetin, sapo kanë nisur një etapë të re, atë gllabërimit dhe të degjenerimit total të një prej krahinave më me vlerë kombëtare, historike dhe turistike duke arritur deri aty sa të vënë dorë mbi mjedisin e papërsëritshëm dhe rrezikuar seriozisht resurset e mbetura në atë zonë.

Të gjithë qytetarët aty ndihen të shqetësuar dhe të pafuqishëm ndërsa shprehin indinjatë për shkatërrimin që po përgatitet t'i bëhet një territori të gjelbër në sipërfaqe të konsiderueshme me hapjen dhe shfrytëzimin e karrierave për nxjerrje mermeri, pikërisht mu në një nga masivet e rralla pyjore të vendit, atë të zonës Gërmenj - Shelegur të shpallur edhe Park Kombëtar. Por në vend që në këtë zonë pyjore të krahinës së Leskovikut të duartrokiten dhe inkurajohen nismat për ngritje fermash bletorale dhe resortesh turistike që për fat të mirë dhe nuk kanë munguar të ngrihen me shumë guxim e jo pak risk për shkak të infrastrukturës rrugore të munguar, papritur vjen si thikë pas shpine dhe kjo tentativë korruptive për tua dëmtuar dhe ato vlera natyrore që shihen si shpresa e vetme për të mbajtur gjallë vlerat turistike dhe zhvillimin e kësaj krahine. Sipas banorëve, kjo është pabesia e radhës që qeveria e "rilindjes" po u rezervon pas zhdukjes së Leskovikut nga harta e bashkive, një prej qyteteve me histori, kulturë dhe me tradita të hershme kombëtare, ç'ka u shoqërua dhe me braktisjet masive nga njerzit çdo ditë të kësaj zone. Dhe vënia dorë mbi mjedisin duke dëmtuar bukurinë natyrore që ofron masivi pyjor aty, i vuri kapak mungesës së dashamirësisë së qeverisë për këtë krahinë dhe mallkim më i madh për juglindjen e izoluar dhe të prapambetur nuk mund të bëhej.

Megjithëse të sfilitur nga hallet e përditshme dhe pamundësitë e përballimit të jetës së vështirë, leskoviqarët kurrsesi nuk bien dakord ta lejojnë, që natyra e virgjër e zonës së tyre të bjerrë preh e orekseve të njerëzve të pandjeshëm që vijnë me kapadaillëk në emër të pushtetit duke bërë fakt të kryer marrjen e lejes së shfrytëzimit nga ministria e energjetikës. Dhe dihet se kush janë të zotët e pushtetit në këto anë, që i shkelin syrin prologut të kësaj masakre mjedisore. Niko Peleshi dhe Elisa Spiropali, të cilët të zgjedhur prej pushtetit pa asnjë lidhje me atë zonë i kanë hedhur në kosh fjalët e mira dhe superlativat marramendëse të thëna përmendësh nëpër fushata votimesh për mjedisin, natyrën e virgjër të Leskovikut e Kolonjës dhe njerëzit e mrekullueshëm të asaj treve dhe si dy jabanxhinj të këqij larg çdo detyrimi ligjor dhe përgjegjshmërie qytetare po i gatisin të zezën e radhës.

E çuditshme se ndërsa nga njëra anë dëgjon të flitet për aksione të qeverisë në mbylljen e të tilla masakrave mjedisore të përhapura pa kriter në gjithë territorin e vendit dhe nga ana tjetër valon noterizimi i kontratave të reja në zona ku pretendohet se mungon sensibiliteti dhe vëmendja e duhur qytetare, sigurisht që mbrojtja e territorit sidomos atij të gjelbërt mesa duket më shumë sesa propagandë është një zhurmë e rëndomtë qeveritare, pas së cilës po tentohet të mbulohet shfrytëzimi abuziv me konçensione korruptive që po u vret leskoviqarëve si gjithë shqiptarëve shpresën e të ardhmes për të jetuar pa u rënë kush në qafë dhe pa i rënë në qafë kujt.

Login to post comments