Vrasja e tregtarit të peshkut Fatos Ferracaku dhe plagosjes së mikut të tij Fatmir Mehaj, ka tronditur qytetin e Shkodrës mesditën e sotme.
Autorët nuk janë identifikuar ende, ndërsa motivet e atentatit dyshohen të jenë përhapur në disa pista për të cilat po hetohet. Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me dinamikën e ngjarjes, vrasje që u krye në një zonë të populluar të qytetit. Autorët kanë qenë dy mbi një motor ngjyrë gri tip TMAX 550 kubik, një motor që ka një shpejtësi të madhe. Ekzekutori ka pasur të veshur një xhaketë ngjyrë të kuqe me të bardhë dhe në kokë një kaskë ngjyrë të kuqe dhe një maskë të zezë nën të. Bashkëpunëtori i tij i veshur me rroba ngjyrë gri dhe skafandër në kokë, e ka mbajtur motorin ndezur dhe ka pritur derisa ekzekutori të mbaronte “porosinë” duke parë të gjithë ngjarjen pa lëvizur. Edhe pse kane qenë shumë njerëz duke kaluar në atë moment autori nuk ka gabuar në asnjë prej plumbave. Ekzekutori ka zbritur nga motori shumë shpejt. Ai është afruar deri në rreth 10 metra dhe ka qëlluar në ecje e sipër. Pasi ka qëlluar objektivin që ishte Fatos Ferracaku, i është afruar dhe e ka qëlluar edhe dy herë në kokë për t’u siguruar se ka vdekur. Autori ka qëlluar vetëm me njërën dorë ndërsa raportohet se ka pasur një saktësi të madhe duke qenë preciz, pra një vrasje profesioniste. Me pas është larguar duke hipur në motor. Sapo ka hipur ne motor, autori ka qenë duke futur pistoletën brenda por ende pa e futur ne brez e ka drejtuar në ajër dhe ka qëlluar edhe njëherë duke dhënë një lloj mesazhi. Një efektiv i policisë që ishte civil është afruar në vendngjarje dhe ka tentuar që ta ndjekë autorin duke vrapuar por ata janë larguar me shpejtësi të madhe me motor. Mjeti u gjet i djegur më pas në zonën e “Zooteknikës”.