Banka Botërore ka publikuar një raport të zgjeruar ku edhe krahason ekonomitë e ndryshme të botës në një indikator të vetën; borxhin e jashtëm. Nga këto shifra rezulton se, në fund të 2017-ës, stoku i borxhit të jashtëm të Shqipërisë arrin në 9.1 miliardë dollarë, nga 8.3 miliardë që ishte vitin paraardhës. Po në krahasim me vendet e tjera të rajonit si pozicionohet Shqipëria? Të dhënat tregojnë se, është pas Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.
Në vend të parë në nivel rajonal është padiskutim Serbia me një stok total të borxhit të jashtëm në 34.5 miliardë dollarë, nga 29.5 miliardë të vitit paraardhës. Në vend të dytë ndjek Bosnje Hercegovina me 14.4 miliardë dollarë borxh. Në vend të tretë është Shqipëria me 9.1 miliardë dhe në vend të katërt Maqedonia me 8.5 miliardë dollarë. Mali i zi ka vetëm 3.1 miliardë dollarë borxh, ndërsa Kosova rendit e fundit , me 2.5 miliardë dollarë.
Pavarësisht se është e fundit, rrjedhojë e faktit se është edhe shtet mjaft i ri, Kosova ka njohur një rritje të ndjeshme të borxhit të jashtëm gjatë viteve të fundit. Së fundmi, me diskutimet e buxhetit të vitit të ardhshëm, çështja e borxhit të jashtëm është kthyer në qendër të vëmendjes, për shkak të kontratave koncesionare sipas skemës së partneritetit publik-privat. Paçka se qeveria pretendon se këto kontrata nuk përkthehen në fryrje të borxhit, të dhënat tregojnë se me një vlerë në rreth 2 miliardë euro, ato mund të përbëjnë një kërcënim për indikatorët e borxhit.