Zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, iu bëri sot thirrje grupeve bankare europiane të frenojnë eksodin e tyre nga tregjet e rajonit tonë. Duke perifrazuar guvernatorin e Bankës Qendrore Europiane, zonja Ahmetaj tha se kjo valë largimesh largimi po thellon procesin e padëshiruar të fragmentarizimit. Sipas saj, tregu bankar shqiptar ofron aktualisht një kthim që tejkalon koston mesatare të kapitalit dhe është mëse e kënaqshme, edhe krahasuar me tregjet e tjerë.
Banka e Shqipërisë organizoi të enjten Konferencën Rajonale me temë “Planifikimi i rimëkëmbjes dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme”. Konferenca trajtoi zhvillimet e deritanishme të rimëkëmbjes dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme në Bashkimin Europian dhe sfidat për zbatimin e tyre në rajonin tonë.
Zëvendësguvernatorja tha se bankat shqiptare përballen me sfida të shumta në këtë proces, por tashmë kuadri ligjor është i plotë dhe bankat kanë përgatitur planet e nevojshme të rimëkëmbjes. Që prej fillimit të vitit 2017, Shqipëria ka një ligj për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka.
Ky ligj synon që sistemi të jetë i përgatitur përballë goditjeve në mundshme dhe, në çdo rast, shpëtimi të mos bëhet me fonde publike, por me një fond që do të ngrihet me kontributin e vetë bankave. Fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme do të plotësohet gradualisht vit pas viti, deri sa të arrijë vlerën e 0.5% të detyrimeve totale të sistemit bankar.