“Nuk jemi shpellarë, jemi qytetarë”, “duam shtëpitë tona”, ishin disa prej thirrjeve të protestuesve. Qytetarë që rrezikojnë të dalin në rrugë të madhe se banesat e tyre do të shemben për t’i lëshuar vendin zgjerimit të “Unazës së re” thonë se nuk do të dorëzohen përballë arrogancës së qeverisë.
“Nuk bën shpronësimet sepse ka lekë vetëm për oligarkët, nuk ka lekë për ne. Prona private kohët e fundit, fatkeqësisht po uzurpohet nga projektet e PPP-ve të famshme. I bëj thirrje kryeministrit të dërgojë komisionin këtu dhe të përshpejtojë procesin e legalizimit. Ne nuk na përulni dot, ne jemi qytetarë e jo shpellarë” tha njëri prej tyre.
Ata thanë se duan të drejtat e tyre, duan drejtësi e qeveria mos të luajë me ta, pasi shtëpitë i kanë bërë me djersë e gjak dhe se me gjak janë gati t’i mbrojnë. “Poshtë hajdutët”, nisën të thirrin ata, kurse kishte edhe fishekzjarrë të hedhur. “O Edvin o legen, shtëpitë tona nuk i shet”, ishte tjetër thirrje. Ata thanë se nuk frikësohen prej policisë.