Akuzat/ Eduart Kapri: Inskenime, askush nuk më bën dot shantazh

Premte, 16 November 2018 18:56

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri,  ka reaguar në lidhje me një akuzë të artikuluar para dy ditësh në emisionin ‘Fiks Fare’ për ndërtimin e një "pallati 13-katësh pa leje” në qytetin e Pogradecit

Kryebashkiaku Kapri ka shprehur indinjatën për këtë lajm që ai e cilëson të stisur që hedh baltë mbi figurën e tij.

Reagim i Kryetarit të Bashkisë Pogradec

Lidhur me akuzën e emisionit  Fiks Fare të datës 14.11.2018  për ndërtimin e një "pallat 13-katësh pa leje” në qytetin e Pogradecit, shpreh indinjatën time të thellë për këtë lajm të stisur që hedh baltë mbi figurën time.

Përpara se t’ju sqaroj për rastin në fjalë kam një vërejtje për mediat dhe gazetarinë që të tregohen më profesionistë në atë që transmetojnë, pasi nëse do të kishin marrë në konsideratë dokumentacionin që disponon Bashkia e Pogradecit, me siguri nuk do e kishin transmetuar këtë lajm të pavërtetë.

Për objektin në fjalë dua të theksoj se disponon të gjitha lejet e nevojshme konform ligjit për ndërtimin e tij dhe nga viti 2009 që është miratuar leja e ndërtimit, nga ish kryebashkiaku dhe në vazhdim, i është nënshtruar kontrolleve të herëpashershëm nga organet kompetente dhe ka rezultuar që ky objekt është në përputhje me ligjin.

Në lidhje me akuzën e Z. Agim Harizi se i është ushtruar presion pasi duhej të takohej me mua për të marrë ryshfet, ju bëj me dije se e gjithë kjo histori është inskenuar për të hequr vëmendjen nga problemi i Subjektit "Harizi Konstruksion "Shpk, i cili është  ndaluar nga IMT e Bashkisë pasi është konstatuar se po kryente punime jashtë afatit të lejes së miratuar nga ana ime në objektin në Tushemisht.

Për objektin në fjalë është miratuar leje për mbulimin me çati të objektit por nga kontrollet e ushtruara nga IMT rezulton se nuk është respektuar leja dhe projekti I dhënë, pasi qytetari po ndërton edhe një kat pa leje me një sipërfaqe shtesë prej 3000 m2, ndaj së cilës kërkon të shmangë detyrimin e pagesave të taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe detyrime të tjera sipas ligjit.

Theksoj se akuzat e tij kundrejt meje janë të pavërteta dhe për këtë çështje do i drejtohem gjykatës për shpifje dhe prishje të imazhit ndaj personit tim. Cilido që mendon se me shantazh mund të shmangë zbatimin e ligjit gabohet pasi unë do jem I pari qytetar që do i qëndroj respektimit të ligjit deri në fund.

Modifikuar më Premte, 16 November 2018 19:42
Login to post comments