OSHEE ka reaguar lidhur me pretendimet e ngritura nga banorët e zonës së Astirit për ndërprerje të energjisë. Në një deklaratë shpërndarë mediave OSHEE hedh poshtë pretendimet e banorëve ndërsa thekson se ajo cka ka ndodhur mëngjesin e sotëm është zhvendosja e shtyllave të ndricimit publik rrugor, në kuadër të kantierit që po ngrihet në zbatim të projektit të rehabilitimit të segmentit Pallati me Shigjeta – Sheshi Shqiponja. Të mbledhur sot në protestë, banorët e zonës së Astirit u shprehën se energjia elektrike ishte ndërprerë për banorët në këtë zonë, në mënyrë të qëllimshme.
Por Bashkia e Tiranës po nxiton me të gjitha format për të shembur 317 godina, banesa dhe biznese tek Unaza e Re pa marrë parasysh protestën që ka nisur prej 14 ditësh nga qindra banorë të zonës. Zyrtarisht pohohet sot ngritja e kantierit të ndërtimit me zhvendosjen nga rrugët të shtyllave të ndriçimit publik.
Në një deklaratë që OSHEE-ja ka publikuar sot, ka deklaruar se “Duke marrë shkas nga pretendimet e shfaqura në media nga disa banorë të zonës së Astirit për ndërprerje energjie, OSHEE sqaron:
“Nuk ka patur asnjë ndërprerje energjie për asnjë objekt në këtë zonë dhe furnizimi vazhdon normalisht. Ajo ç’ka ka ndodhur mëngjesin e sotëm është zhvendosja e shtyllave të ndriçimit publik rrugor, në kuadër të kantierit që po ngrihet në zbatim të projektit të rehabilitimit të segmentit Pallati me Shigjeta - Sheshi Shqiponja”.