Përdorimi i pesticideve të produkteve bujqësore ka shkaktuar një ulje të shitjeve e cila pasohet dhe me uljen e çmimeve. Por vetë prodhuesit deklarojnë se nuk përdorin kimikate dhe se prodhimi i tyre është cilësor.
Stavri Gjoni është një fermer nga Këmishtaj i Lushnjës, i cili prej 20 vitesh merret me kultivimin dhe tregtimin e domates.
Por edhe pse furnizon me produktin e tij jo vetëm tregun vendas por edhe eksporton, ai thotë se çmimi i tregtimit është shumë i ulët për koston e tyre.
Këtë shqetësim e ngrenë të gjithë fermerët e zonës, të cilët fajësojnë mediat për situatën me lajmet e dhëna për përdorimin e pesticideve.
Stavri Gjoni garanton cilësine e produktit, duke sfiduar strukturat përkatëse të kontrollit që analizat ti bëjnë në serat e tyre apo në momentin kur fermerët dorëzojne produktin tek grumbulluesit.
Stavri Gjoni: Gjatë gjithë kohës mendojmë se kemi punuar rregullisht me perimet. Kemi disa marrëdhënie dhe kontakte për shitje. Por ne ndëshkohemi ndonjëherë në mënyrë të padrejtë nga disa media, bëhet zhurmë e padrejtë. Perimet tona gjatë kësaj kohe po ikin të gjitha në Europë, ne nuk po shesim. Jam dakord që analizat të vinë dhe të na i bëjnë këtu tek sera. Nëqoftëse ne na dalin analizat keq, le të ndëshkohemi.
Aktualisht 1 kg domate në tregun e shumicës apo te grumbulluesit shitet rreth 45-50 lekë për kilogram, ndërkohë me çmim pakice shitet 80-120 lekë.
Fermerët akuzojnë disa nga mediat shqiptare për linçim të prodhimit të tyre për interesa të eksportuesve apo ofruesve të imputeve bujqësore në mënyrë të paligjshme.