Banorët e “Unazës së re” kanë marrë mbështetjen e deputetëve të opozitës në protestën që ata po vazhdojnë ta mbajnë kundër shembjes së shtëpive. Këtë pasdite, kundër protestuesve , qeveria ka dërguar radhë të shtuara të forcave të policisë ç’ka i ka irrituar më shumë. Në mbrojtje të protestuesve qëndrojnë deputetët e opozitës dhe në një lidhje për mediat, deputeti demokrat Klevis Balliu shprehu gatishmërinë për të mbrojtur protestuesit nga dhuna e policisë.
Ai përcolli mesazhin që kjo protestë po u jep të gjithë shqiptarëve.
Prononcimi i deputetit demokrat Klevis Balliu:
“Kryeministri, kryebashkiaku, të vijë të japë një përgjigje, ndryshe situata do të përshkallëzohet e të dalë jashtë kontrollit. Sot po shohim se ka prezencë të shtuar të policisë. Këta qytetarë po tregojnë se janë heronjtë e vërtetë. Këta edhe pse sot i lanë pa drita , ndriçuan dritën e shpresës për qytetarët e mbarë Shqipërisë.”