Shtatë ditët e ardhshme të marrëveshjes Brexit do të jenë kritike për të ardhmen e Britanisë së Madhe. Paralajmërimi ka ardhur nga kryeministrja e vendit, Theresa May, në një intervistë të dhënë për ‘Sky News.’
Në një mesazh për ata që planifikonin ‘rënien’ e saj, duke përfshirë edhe anëtarët e Grupit Europian të Kërkimit të deputetëve euroskeptikë, ajo u shpreh se nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga Brexit. May shtoi më tej se një ndryshim i kreut të vendit nuk do ta bënte më të lehtë mbylljen e marrëveshjes.
“Një ndryshim i udhëheqjes në këtë pikë nuk do të bëjë më të lehtë negociatat dhe nuk do të ndryshojë aritmetikën parlamentare. Kjo vetëm sa do të rrisë shkallën e pasigurisë. Kjo është pasiguria për njerëzit dhe për punët e tyre”, u shpreh May në një intervistë për Sky.
Më tej, kryeministrja britanike tha se do të udhëtojë përsëri drejt Brukselit për të zhvilluar bisedime me personalitetet kryesore të bllokut, përfshirë Jean-Claude Juncker, kreun e Komisionit Europian, përpara një takimi të jashtëzakonshëm të këtij të fundit më 25 nëntor.