Gangsterët shqiptarë të bandave të drogës në Londër po mburren gjithnjë e më shumë për pasuritë e tyre në median sociale.
Britanikja Daily Mail ka raportuar se anëtarë të bandave të drogës, që i kanë fituar paratë në mënyrë të paligjshme, publikojnë foto me makina luksi e veshje të shtrenjta teksa tymosin cigare.
Në një prej fotove, një prej anëtarëve të bandës mban në dorë një grusht hekuri, të veshur me gurë të çmuar, që formon inicialet HB për “Hellbanianz”, “Shqiptarët e Ferrit”.
Në të gjitha fotot, ata tregojnë veshjet e shtrenjta me gurë të çmuar e ar teksa hipin nëpër limuzina e makina të shtrenjta, dhe shkruajnë fraza ku ankohen se kanë aq shumë para, sa nuk dinë se ku t’i shpenzojnë.
Ndryshe nga gjithë trafikantët e kombësive të tjera, të cilët janë diskretë dhe nuk e reklamojnë pasurinë e tyre pasi bien pre e policisë, bandat shqiptare njihen në gjithë Britaninë, si të varura nga media sociale.