Muajin e ardhshëm pritet të finalizohet marrëveshja për uljen, deri në heqjen e plotë, të tarifave të roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja do të prezantohet në Sesionin Plenar të Grupit të Autoriteteve Rregullatore Europiane (BEREC) që do të zhvillohet në muajin dhjetor.
Kryetari i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Ilir Zela zhvilloi këtë javë një takim me Komisioneren e Bashkimit Europian për Ekonominë dhe Shoqërinë Digjitale, Mariya Gabriel, e cila ka vizituar zyrtarisht Shqipërinë. Mes të tjerash, kryetari i AKEP, e falënderoi zonjën Gabriel për mbështetjen e Komisionit në përgatitjen e Marrëveshjes Teknike në fjalë.
Vitin e kaluar, Bashkimi Europian ndërmori një hap revolucionar, duke hequr plotësisht tarifat roaming brenda Unionit. Qytetarët e Bashkimit Europian mund të flasin me tarifat e operatorit të tyre, në të gjitha vendet anëtare.
Komisioni Europian është bërë nismëtar që një praktikë e tillë të ndiqet edhe mes vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor. Ky proces ka qenë i vështirë, për shkak të marrëdhënieve të vështira politike mes vendeve të rajonit, por edhe për shkak të interesave të ndryshme të secilit vend.
Vendet që kanë fluks të rëndësishëm turistësh dhe rrjedhimisht të ardhura nga roaming hyrës (si Shqipëria), nuk kanë pasur shumë interes të përfshihen në një marrëveshje të tillë. Por, me nismën e BE-së, kjo rezistencë duket se është thyer dhe, së shpejti, qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të mund të komunikojnë brenda të gjithë kësaj hapësire pa paguar tarifa roaming shtesë.