Ndahen çmimet e Panairit të Librit “Tirana 2018”. Lexuesi shqiptar është më shumë i orientuar për të lexuar letërsinë e huaj, por megjithatë janë 130 vepra të analizuara nga juria, ku prej tyre 50 për qind kanë qenë vepra shqiptare, 50 për qind të huaja.
Kryetarja e jurisë, ishte Lili Sula (pedagoge), anëtarët, Ledia Dushi (përkthyese), Arta Marku (gazetare e Kulturës), Agim Baçi (kritik letrar) dhe Rudi Erebara (shkrimtar).
Çmimi i karrierës shkoi për shkrimtarin Kim Mehmeti, me motivacionin për stilin origjinal në krijimin e polifonisë artistike, që karakterizon romanin “Pusi” edhe të gjithë veprën e tij letrare.
“Kushdo qoftë do të kishte gënjyer se nuk ndihet mirë kur merr çmim. Unë asnjëherë nuk kam mundur që të vetëgënjej veten, se do të ketë kaq vëmendje në Tiranë. Tirana është vendi që na krijon vetësigurinë krijuese”,tha Kim Mehmeti, shkrimtar
Çmimi për krijimtarinë origjinale më të mirë të vitit iu dha Brajan Sukajt, për romanin “Ciklopi” me motivacionin për ndjeshmërinë e thellë njerëzore të përcjellë përmes një ligjërimi sa reale aq edhe fantastik .
Çmimi për përkthimin më të mirë për Donika Omarin për përkthimin e romanit “Nga ana e princeshës së vdekur” të autores Kenize Mourand me motivacionin “Për shqipërimin dhe gërshetimin mjeshtërore të identitetit gjuhësor dhe artistik”.
Çmimi për përkthimin nga gjuha franceze, iu dha Ilia Lëngut për shqipërimin e veprës “Të drejtët” e Albert Camys.
Dy çmime inkurajuese iu dhanë autores Iva Nikolli për romanin “Vetëm për ty” dhe Flogerta Krypit për librin “Gjithçka rreth asgjësë” me motivacionin e përbashkët për befasinë dhe origjinalitetin në kërkimit dhe përshkrimin e njerëzores. Krypi ndryshe nga fituesit e tjerë, zgjodhi që mos të falënderojë, por të kritikoi institucionet për gjendjen ku e kanë lënë librin sot në Shqipëri
“Përveç fondeve që merrni për përkthimin e veprave të huaja, mendoj se ka ardhur koha, që të kërkoni projekte për të financuar autorët shqiptarë. Kjo thirrje shkon për të gjitha institucionet, duke nisur nga ministra e shkatërrimit të kulturës shqiptare, përfaqësuar nga zonja Mirela Kumbaro, që i ka dhënë fund Bibliotekës Shqiptare. Para disa muajsh janë shkatërruar 12 mijë libra edhe sot nuk mban asnjë përgjegjësi. Jemi i vetmi shtet në botë që nuk kemi bibliotekë kombëtare prej tre vitesh. Studentët lënë kartën për të marrë një libër, ky është turpi i Zotit. Të vish në Shqipëri edhe të mos kesh librat, kjo do të thotë që jemi shndërruar në një komb injorantë. Ne nuk kemi nevojë për çmime, por kemi nevojë për një komb që lexon”, deklaroi Flogerta Krypi.