Kjo ka qenë situata në orët e mesditës, ndërsa në mbrëmje në Dardhë trashësia e borës arriti në një metër, duke krijuar vështirësi të mëdha në lëvizjen e automjeteve.
Edhe pushuesit që zgjodhën Dardhën për të kaluar fundjavën e patën të pamundur të largohen.
Pasditen e së dielës reshjet e borës mbuluan edhe qytetin e Korçës. Pavarësisht se nuk pati probleme me lëvizjen e automjeteve temperaturat u ulën ndjeshëm.
Probleme ka edhe ne zonën e Mokrës, ku si pasojë e motit të keq është ndërprerë energjia elektrike. Ndërkaq Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore u kërkuan drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal kryesisht në akset Korçë-Voskopojë, Korçë-Dardhë dhe Korçë-Kapshticë si dhe të zbatojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e punonjësve të policisë.
Ndërsa autoritetet greke në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës njoftuan se për shkak të motit të keq si dhe bllokimit të një aksi rrugor në territorin Grek, nuk lejohet kalimi dhe qarkullimi i autobusëve dhe mjeteve të tonazhit të rëndë në drejtim të Greqisë, deri në normalizimin e situatës në këtë aks rrugor. Drejt Greqisë është lejuar vetëm kalimi i autoveturave, por vetëm nëse ato do ishin pajisur me zinxhirë.
Policia Kufitare, apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që kanë planifikuar lëvizjen për në shtetin grek nëpërmjet pikës kufitare Kapshticë ta anulojnë ose të përdorin pikat e tjera të kalimit kufitar me Greqinë, deri në normalizimin e situatës për shkak të motit të keq