Interpol-i zgjodhi të mërkurën Kim Jong Yang nga Koreja e Jugut në postin e presidentit të agjencisë, duke hedhur poshtë kandidaturën e Rusisë që nxiti shqetësime në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara për rrezikun e ndërhyrjeve ruse.
Agjencia me 194 anëtarë zgjodhi në kongresin vjetor në Duabi që zoti Kim të trashëgojë në këtë post kinezin, Meng Hongwei, i cili u zhduk në muajin shtator dhe më pas dha dorëheqje, pasi që autoritetet kinezë thanë se po e hetojnë atë nën dyshimet për korrupsion.
Interpol-i njoftoi se zoti Kim që shërbente si ushtrues detyre i presidentit, u zgjodh për një mandat dy vjeçar. Nestor R. Roncaglia nga Argjentina, u zgjodh si nënpresident për një mandat trevjeçar.
Kandidatura e Alexander Prokopchuk nga Rusia, një gjeneral major i policisë dhe një nga katër nënpresidentët e Interpol-it, kishte nxitur shqetësime në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara për mundësinë që Rusia të keqpërdorë fuqinë e Interpol-it.
Një grup dypartiak senatorësh amerikanë i shkroi Interpol-it që ta paralajmërojë kundër emërimit të kandidatit rus Prokopchuk, duke e krahasuar me “futjen e një dhelpre në kotec pulash”.
Kremlini tha të martën se ky qëndrim paraqet përzierje në zgjedhjet në Interpol.
Në Evropë, ish kryeministri belg, Guy Verhofstadt, njëherësh anëtar i Parlamentit Evropian tha se “vendet e lira dhe demokratike mbase duhet të mendojnë për një organizatë paralele”, nëse zgjidhet rusi Prokopchuk.
"Rusia vazhdimisht ka keqpërdorur Interpolin për të përndjekur kundërshtarët politikë”, shkroi të martën ai.