Borchardt: Rama të dekriminalizojë shpifjen, rekomandim i hershëm i OSBE/ODIHR-it

E mërkurë, 21 November 2018 18:37

OSBE i bëri sot thirrje autoriteteve shqiptare se duhet të dekriminalizojnë shpifjen në raport me median, duke kujtuar se ky është një rekomandim i hershëm i OSBE/ODIHR-it.

Drejtuesi i Zyrës së OSBE-së për Shqipërinë, Bernd Borchardt, tha se Kodi Penal nuk parashikon më dënim me burg, por gazetarët marrin gjoba dhe dënime penale në rast se shpallen fajtorë për shpifje.
Mediat shqiptare, tha OSBE, nuk kanë arritur ende atë nivel profesionalizmi, sjelljeje etike dhe vetërregullimi kolektiv, që është i domosdoshëm për pavarësinë politike, financiare dhe editoriale në zhvillimin e mëtejshëm të tyre.
“Dispozitat e Kodit Civil janë më se të mjaftueshme për të dënuar shpifjen. Madje, edhe dispozitat e Kodit Civil mund të paraqesin rrezik dhe të frenojnë lirinë e shprehjes, nëse përdoren masivisht dhe si një sulm i gjerë kundër gazetarëve” - tha ambasadori Borchardt.
Ai u bëri thirrje përfaqësuesve të organizatave mediatike që të shmangin gazetarinë e kopjimit, të veprojnë kundër informalitetit në punësim, dhe kontrollit redaksional nga pronarët.
OSBE tha se radiotelevizioni publik duhet të funksionojë i pandikuar nga kontrolli politik, pasi roli i tij i vërtetë është të jetë partner i qytetarëve, i vetë shtetit, si edhe i sektorit tregtar
OSBE mendon se liria e medias dhe liria e shprehjes nuk mund të përdoren si shfajësim për të përhapur shpifje dhe lajme të rreme sipas interesave të caktuar politikë dhe ekonomikë.
“Shoqatat e mediave, sindikatat e gazetarëve, pronarët e mediave duhet të përkrahin vetërregullimin e medias si alternativë ndaj rregullimit qeveritar të saj. Është më mirë të kemi një Kod Etike për Median që respektohet dhe zbatohet, se sa dispozita të Kodit Penal. Liria e medias kërkon standarde profesionale, të mishëruara në parime, rregulla dhe rregullore. Praktika më e mirë është që vetë gazetarët të hartojnë kode etike për median dhe t’i zbatojnë ato me anë të organizatave për vetërregullimin e medias”, - tha zoti Borchardt.
Aktualisht Shqipëria krahas shumë mediave radio - televizive ka edhe qindra faqe interneti që botojnë lajme të marra nga burime të paverifikuara. OSBE mendon se ato mund të shihen si shpifje, ndërsa pronësia dhe financimet e këtyre faqeve të internetit është jotransparente. Ndaj nevojitet rregullimi i mediave online në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Komentet e OSBE për gjendjen e mediave shqiptare vijnë ndërkohë që qeveria ka një projektuar një paketë ligjore kundër shpifjes, e cila synon në parim të shmangë keqkuptimet dhe keqinformimet prej shkrimeve të pakonfimuara, ndonëse ende nuk njihen shumë detaje mbi amendamentet ligjore të propozuara.

Modifikuar më E mërkurë, 21 November 2018 18:48
Login to post comments