Shifrat zyrtare/Taksa e rrugës Durrës-Kukës, “përzë” shtetasit e bizneset nga Kosova?!

Premte, 23 November 2018 15:31

Ndonëse muaji tetor ishte i ngrohtë si asnjëherë tjetër, kjo nuk duket të jetë shfrytëzuar nga të huajt që vijnë me qëllime pushimi në Shqipëri.

Të dhënat e INSTAT treguan se në tetor  2018, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend është 337.603. Krahasuar me Tetor 2017, ky numër është ulur me 11,0 %.
Nga këta, rreth 131 mijë, ose 38% e shtetasve të huaj që kanë hyrë gjithsej në vend, kanë ardhur për qëllime pushime. Numri i të huajve që erdhën për pushimet në vendin tonë në tetor shënoi një rënie të ndjeshme prej 22.5% në krahasim me tetorin e një viti më parë. Ndikimin kryesor e kanë dhënë shtetasit nga Kosova, hyrjet e të cilëve ranë me 16% në tetor, ose rreth 15 mijë persona më pak se tetori i një viti më parë.
Rënia e hyrjeve të shtetasve nga Kosova përkon me fillimin e taksimit të rrugës Durrës-Kukës, 5 euro për një drejtim, e cila pas shumë debatesh filloi të zbatohej në gjysmën e dytë të shtatorit.  Fatos Shala, gazetar në Kosovë, tha për Monitor se përveç individëve që vijnë me pushime, taksa e rrugës po ndikon dhe për bizneset. Ai shton se sipas burimeve nga dogana e Kosovës, bizneset kanë filluar të hezitojnë të marrin rrugë për në Shqipëri. Taksa për një rrugë për një kamion varion nga 16.2 në 22.5 euro. Përjashtuar muajin tetor, fluksi i hyrjes së shtetasve nga Kosova kishte qenë shumë i lartë. Për 10 mujorin, në Shqipëri kanë hyrë 1.9 milionë shtetas nga Kosova, me një rritje gati 22% me bazë vjetore. Tetori është muaji i parë, kur fluksi i tyre shfaqet me rënie kaq të lartë.
Hyrjet e të huajve në rritje si 10 mujor/Sipas raportit të INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në dhjetëmujorin e 2018 është 5.399.426 duke u rritur me 17,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Në Tetor 2018, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri është Zvicra e cila ka patur rritjen më të madhe me 134,5 %, ulje kanë patur hyrjet e shtetasve nga Polonia me 71,8 %. Në dhjetëmujorin e 2018, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri është Polonia me një rritjen të madhe prej 34,8 %. Shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi, gjatë muajit Tetor 2018, janë 791.058 duke shënuar një ulje me 3,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Tetor 2018, është 471.582 krahasuar me Tetor 2017, ky numër është rritur 9,6 %. Numri i shtetasve të huaj të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Tetor 2018, është 319.476. Krahasuar me Tetor 2017, ky numër është ulur 17,0 %. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në dhjetëmujorin 2018, është 4.537.760, duke u rritur 3,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Modifikuar më Premte, 23 November 2018 15:34
Login to post comments