“Telekom Srbija” nuk tërhiqet – “Jemi ende në garë për të blerë Telekom Albania”

Hënë, 26 November 2018 14:41

Në një kohë që qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës duket se janë bërë së bashku në luftën tregtare ndaj Serbisë, kjo e fundit duket se nuk është tërhequr ende nga kandidatura për blerjen e Telekom Albania. Prej thuajse dy muajsh, kompania e kontrolluar nga gjigandi gjerman ka dalë në shitje dhe “Telekom Srbija” ishte ofertuesja e parë.

Vladimir Lalic, kreu i departamentit të marketingut te “Telekom Srbija” deklaroi se: “Tenderi është ende në proces dhe se nuk mund të komentohet në një fazë të tillë”. “Por, ne jemi ende në garë”-shtoi ai.

Kërcënimet e qeverisë shqiptare duket se nuk e kanë detyruar kompaninë serbe që të tërhiqet nga gara, ose të paktën këtë pretendojnë vetë ata. Mosbekimi i këtij operacioni nga ana e qeverisë shqiptare do të sillte shumë probleme për marrëveshjen por sidomos operimin e mëtejshëm në treg të operatorit që kontrollohet nga qeveria serbe.

Së fundmi, kompania njoftoi blerjen e një operatori në Poloni, ndërkohë që shpreh hapur ambiciet për të blerë edhe operatorë të tjerë, në vend e më gjerë në rajon. Paçka se kanë kaluar thuajse dy muaj nga nxjerrja në shitje e Telekom Albania, operatorit që kontrollohet nga Deutsche Telekom, ende nuk ka asgjë konkrete.

Interesit të SCAN, vetë grupi OTE i është përgjigjur duke thënë se nuk ka asnjë zhvillim që mund të bëhet publike. Gjithsesi, kandidaturë ende e fortë në këtë garë vijon të mbetet edhe Albtelekom, kompania e tretë në tregun e telefonisë celulare në vend.

Login to post comments