Shorti për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi i ka kaluar Kuvendit.
Presidenti Ilir Meta nuk e ka hedhur shortin, pasi nuk e ushtron këtë kompetencë dhe përmes një shkrese drejtuar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, informon se ia ka kaluar Kuvendit kompetencat për përzgjedhjen e anëtarëve të KED. Presidenti e ka informuar Kuvendin se për shkak vakumit ligjor nuk mund të hedh dot shortin për KED. Pas tërheqjes së Metës, shorti për KED pritet të hidhet më 5 dhjetor nga Kuvendi.
Me përzgjedhjen e anëtarëve të KED, do t’i hapet rruga edhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila prej gati një viti është jashtë funksionit, për shkak të mungesës së anëtareve.
LETRA
Në letrën drejtuar Ruçit, kreu i shtetit shpjegon edhe arsyet se pse duhet që shorti të hidhet nga parlamenti.
“Me përgjegjësinë e lartë dhe vullnetin e mirë për të mos humbur kohë, Presidenti i Republikës vlerëson se i takon Kuvendit të Shqipërisë, si institucion ligjbërës në Shqipëri të realizojë procesin e përzgjedhjes së anëtareve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në frymën e Kushtetutës. Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, dhe njëkohësisht Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, garanton dhe i ofron Kuvendit të Shqipërisë, të gjithë mbështetjen e nevojshme me qëllim zgjidhjen e kësaj situatë të krijuar dhe kapërcimin e saj”, thuhet ndër të tjera në letrën e Metës.
Në letër, kreu i shtetit shpreh shqetësim për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mungesës së anëtareve dhe vonesën në ngritjen e institucioneve të reja nga reforma në drejtësi.
Meta kërkon nga parlamenti që “jo vetëm të sigurojë përzgjedhjen e anëtareve të KED-së së re, por duhet të sigurojë njëkohësisht edhe vazhdimësinë dhe funksionalitetin e këtij organi përgjatë gjithë vitit 2019”.