Meta vlerëson me dekorata ish-lojtarët e Flamurtarit

Hënë, 26 November 2018 20:38

Presidenti Ilir Meta në një të ceremoni të veçantë të mbajtur në teatrin “Petro Marko” vlerësoi sot, arritjet e ekipit të futbollit “Flamurtari” në vitet 1986-87 si dhe disa nga futbollistët më të spikatur vlonjatë të asaj periudhe.

Vlerësimet: 

Gjatë ceremonisë në kujtesë së ndeshjeve të paharrueshme me “Partizanin” e Beogradit dhe “Barcelonën”, Meta dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” ekipin e futbollit “Flamurtari” të vitit 1986-87: “Për rezultatet historike në futbollin shqiptar, veçanërisht në përballjet për kupat e Europës (1986-1987), duke manifestuar vlerat më të mira të sportit tonë, në arenën ndërkombëtare”.

Gjithashtu Meta vlerësoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” ish-qendërmbrojtësin e shquar vlonjat Kreshnik Çipi me motivacionin: “Për talentin dhe personalitetin e tij të gjithanshëm të treguar në lojën e futbollit, duke dëshmuar cilësi të rralla si protagonist e kapiten i skuadrës së ‘Flamurtarit’ dhe titullar i ekipit kombëtar.”; ish-sulmuesin Sokol Kushta: “Për talentin dhe përkushtimin në arritjen e rezultateve të larta në kampionatet kombëtare dhe përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare të futbollit tonë.”; ish-mbrojtësin Rrapo Taho: “Për profesionalizmin në lojën e suksesshme të tij, duke u bërë një fortesë e pakalueshme e mbrojtjes vlonjate, si dhe për kontributin në ekipin kombëtar.”; ish-mesfushorin Latif Gjondeda: “Për aftësitë e tij drejtuese në lojën e futbollit si mesfushor i spikatur i skuadrës ‘Flamurtari’, duke treguar cilësi të larta menaxhimi si një lojtar profesionist i suksesshëm.” dhe ish-mbrojtësin Petro Ruci (pas vdekjes): “Për aftësitë e treguara dhe këmbënguljen, në mbrojtjen e skuadrës vlonjate me lojën e spikatur prej profesionisti, ku u shqua për pasionin, përkushtimin dhe suksesin gjatë gjithë karrierës si futbollist.”. Por Meta ka marë edhe një dhuratë, një fanelë të Flamurtarit me nr.11 dhe me emrin e tij të shkruar.

“Ceremonitë e dekorimit për legjendat dhe ikonat e futbollit shqiptar, gjithmonë i përjetoj me emocione të veçanta dhe me kujtime të pashlyeshme, ashtu si çdo shqiptar që jeton me dashurinë dhe magjinë këtij sporti kaq popullor. Ekipi i Flamurtarit dhe ‘heronjtë e tij’ në fushë, pa asnjë mëdyshje, kanë bërë epokë në historinë e futbollit shqiptar. Ndeshjet e mrekullueshme dhe rezultatet fantastike të Flamurtarit në vitet 1986-1987, na bëjnë edhe sot pas më shumë se 30 vitesh, krenar duke lartësuar jo vetëm emrin e qytetit të Vlorës, por edhe të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Rezultatet e suksesshme të Flamurtarit përballë ‘skuadrave titane’, më të mira të kohës, siç ishte Barcelona, kanë lënë gjurmë të thella në krenarinë tonë kombëtare. Të gjithë i kujtojmë me nostalgji ndeshjet në Vlorë dhe golat magjikë të të mëdhenjve, Vasil Ruci e Sokol Kushta, me të cilat u trondit Barcelona e yjeve të futbollit botëror, si Zubizarreta, Shuster e Geri Lineker. Vetëm kaq do të mjaftonte për një falenderim, mirënjohje dhe respekt të madh për të gjithë ju, futbollistët e Flamurtarit, të cilët ndër vite keni falur kaq shumë emocione për dhjetëra mijëra tifozë dhe qindra mijëra shqiptarë, këtu dhe jashtë vendit. Një vlerësim dhe falenderim i përzemërt shkon edhe për mësuesit, trajnerët e drejtuesit e futbollit të ‘Flamurtarit’, të cilët me punën e tyre të palodhur kanë trajnuar breza të tërë futbollistësh të klasit të lartë, për të cilët kemi pasur fatin t’i shikojmë dhe t’i shijojmë me lojën e tyre magjepsëse në ‘tapetin e gjelbër’.

Futbolli vlonjat ka nevojë të vlerësojë historinë e tij të lavdishme dhe unë besoj se Vlora e ka një potencial të tillë dhe sot. Dëshiroj t’u drejtohem lojtarëve të dikurshëm, që suksesin e arritur në ato vite, ta përcjellin te futbollistët e sotëm vlonjatë dhe të mbarë Shqipërisë, për të kultivuar tek futbollistët e rinj pasionin dhe dëshirën për futbollin.

Po kështu fitorja e Flamurtarit këtu 2-0 me “Partizanin” e Beogradit dhe sidomos goli gjunjëzues i Kushtës në Beograd janë gdhendur në memorien e çdo sportdashësi, vlonjat e shqiptar.
Jam i kënaqur dhe i lumtur që mund të shpreh përgëzimet më të mira për lojtarët e mëdhenj si: Luan Birçe, Anesti Arapi, Artur Lekbello, Petro Ruci, Rapo Taho, Kreshnik Çipi, Përparim Lushaj, Roland Iliadhi, Alfred Ferko, Alfred Ziaji, Latif Gjondeda, Vasil Ziu, Vasil Ruci, Agim Bubeqi, Sokol Kushta, Eqerem Memushi, Viktor Daullja, e shumë të tjerë.
Si dhe trajnerët e tyre: Leonidha Çurri dhe Skënder Elmazi.

 Është ky sukses dhe kjo trashëgimi e lavdishme e historisë së futbollit vlonjat dhe mbarëkombëtar që na ka bërë bashkë në këtë ceremoni dekorimi.

Edhe sot, ju mbani mbi shpatulla jo vetëm meritat dhe kontributet në lartësimin e futbollit shqiptar ndër vite, por edhe një përgjegjësi të madhe, sepse jeni modeli i duhur për të frymëzuar sportistët tanë të rinj në arritjen e sukseseve në futboll.
Prandaj, kam privilegjin dhe kenaqësinë të vlerësoj për kontributin dhe rezultatet e arritura ekipin e futbollit të ‘Flamurtarit’ me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhërit të Flamurit’.
Gjithashtu vlerësimin me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’, dëshiroj t’ua akordoj lojtarëve të spikatur të këtij ekipi, që me lojën dhe shpirtin e tyre të garës respektohen dhe sot nga mbarë sportdashësit shqiptarë, si:
♦ Kapitenin e skuadrës Kreshnik Çipi;
♦ Qendërmbrojtësin e pakalueshëm Rapo Taho;
♦ Sulmuesin e mjeshtrin e golave Sokol Kushta;
♦ Dirigjentin e mesfushës Latif Gjondeda;
dhe Petro Rucin që nuk ndodhet më mes nesh.
Ju falënderoj për gjithçka keni bërë, për sukseset e arritura, për krenarinë dhe kënaqësinë që u keni dhuruar tifozëve vlonjatë dhe gjithë shqiptarëve!
Ju uroj shëndet dhe lumturi juve dhe familjeve tuaja!”, tha Meta.

Po ashtu ish-lojtarët dhe figurat e shquara sportive vlonjate firmosën fanellën e “Flamurtarit”, e cila do të zërë vendin e saj të merituar në memorialin e krijuar me këtë rast në Institucionin e Presidentit të Republikës.

 
Login to post comments