Vijon të jetë mjaft e tensionuar dhe gjatë ditës së sotme situata në zonën e Astirit, ku që prej mëngjesit janë parë në zonë punonjës të policisë bashkiake dhe të policisë së shtetit.
Një prej banorëve u shoqërua me forcë nga ana e policëve të shqiponjave, mirëpo banorët e tjerë që ishin në protestë bllokuan furgonin duke bërë të mundur lirimin e tij.
Duke folur për Fax News Sokol Dema, banori tha se policët ushtruan dhunë ndaj tij duke e qëlluar me grushte. Edhe në pjesën e buzës protestuesi kishte rrjedhje gjaku, ç’ka vërteton dhunën e ushtruar.
“Kam punuar 15 vite në Angli dhe e kam sjellë të gjithë mundin këtu në këtë shtëpi, dhe të vijë të ma prishë ky ropq*ri”, u shpreh banori që u shoqërua me forcë nga ana e policisë.
Banori vijoi më tej duke thënë se kjo është hera e katërt që po tentohet që ti prishet banesa dhe lokali, ku ka mundur që të punësojë një pjesë të të afërmve të tij që gjenden në kushte të rënduara ekonomike.