Alkolizimi i15-vjeçarëve? Në Shqipëri, 1/10 vajza dhe 1/4 djem, konsumatorë të rregullt

Tuesday, 27 November 2018 14:23

Ndër 41 shtetet europiane, vetëm në dhjetë prej tyre, adoleshentët janë konsumatorë më të mëdhenj të alkoolit sesa në vendin tonë, thotë një raport i sapo publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në Shqipëri rezulton se, 16.6% e adoleshentëve konsumojnë alkool rregullisht, ose të paktën një herë në javë. Në analizë merren vetëm 11, 13 dhe 15 vjeçarë, çka i bën alarmante gjetjet e raportit.

Vendet e tjera të rajonit ndërkohë nuk janë marrë në analizë, me përjashtim të Maqedonisë, që ka një normë disi më të ulët se vendi ynë në këtë drejtim. Në nivel europian, adoleshentët në Malta, me 28% dhe atë në Itali me 24% rezultojnë të jenë ata më të alkoolizuarit në Europë. Më pak të alkoolizuarit ndërkohë janë padiskutim ata nordikë, me Islandën në vend të parë, me një normë në vetëm 2.7%, Norvegjinë me 3.7% dhe Suedinë me vetëm 4%.

Në të gjitha këto vende konsumi i alkoolit në popullatë është mjaft i lartë, por mesa duket te adoleshentët funksionojnë ligjet më së miri. Vendi ynë, është një ndër ato shtete ku ligji nuk funksionon si duhet në drejtim të ndalimit të alkoolit për ata nën 18 vjeç. Së fundmi, qeveria premtoi një luftë serioze ndaj këtij fenomeni. Të dhënat më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tregojnë se mes meshkujve dhe femrave adoleshente ka një diferencë të theksuar në konsumin e alkoolit, me vetëm 10.4% të femrave që rezultojnë konsumatore dhe 22.7% të meshkujve.

Login to post comments