Volumi i mallrave në portet shqiptare pësoi një rënie të fortë gjatë muajit tetor. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për muajin tetor volume i ngarkim-shkarkimit të mallrave ra me 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për të gjithë 10-mujorin e këtij viti, në portet shqiptare ka kaluar 4% më pak volum mallrash krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. E njëjta tendencë vlen edhe për transportin ajror të mallrave, që ka rënë me afro 3%, ndonëse pesha e tij kundrejt volumeve totale është e papërfillshme.
Ecuria e këmbimeve të mallrave në volum është e kundërt me tendencat e tregtisë së jashtme në vlerë. Për dhjetë muajt e parë të vitit, eksportet janë rritur me 16%, ndërsa importet janë rritur me rreth 3%. Kontradikta mes ecurisë së ndryshme të tregtisë në volum dhe vlerë mund të shpjegohet me disa faktorë. Kryesori është struktura e tregtisë, në varësi të ecurisë së grupmallrave të ndryshme. Për shembull, Shqipëria këtë vit ka eksportuar sasi të mëdha të energjisë elektrike, të cilat reflektohen te tregtia në vlerë, por jo te ajo në volum.
Një faktor tjetër mund të jetë rritja e çmimeve për mallra të veçantë, që sjell vlera më të larta të qarkullimit tregtar. Në teori, faktor tjetër mund të jetë kursi i këmbimit, që përkthehet te çmimi i mallit i konvertuar në lekë. Mbiçmimi i lekut këtë vit, në fakt, ka pasur efekt në uljen e vlerës së qarkullimit tregtar në monedhën vendase. Me një kurs të njëjtë, ndryshimi mes ecurisë së tregtisë në volum dhe asaj në vlerë do të ishte më i lartë.