Institucionet shtetërore përballen çdo vit me mijëra padi të ngritura nga bizneset e qytetarët, me kosto të jashtëzakonshme për të dyja palët: për individët e kompanitë, si dhe për institucionet publike. SCAN ka zbardhur shifrat shqetësuese të gjyqeve ku janë të përfshira institucionet shtetërore gjatë vitit 2017 dhe atij aktual.
Sipas të dhënave zyrtare të Avokaturës së Shtetit, për vitin 2017 ajo ka siguruar në “13,496” gjyqe “Asistencë juridike Institucioneve Shtetërore dhe Enteve Publike nëpërmjet këshillimit dhe përfaqësimit ne Gjykatat e Kombëtare e Ndërkombëtare”. Për katër muajt e parë të vitit 2018, Avokatura e Shtetit ka asistuar në 4,300 përplasje gjyqësore institucionet publike, shifër që, por sipas saj, pritet të arrijë në 12 mijë në fund të vitit.
Por nuk është shqetësues vetëm numri shumë i lartë i gjyqeve ndaj bizneseve e individëve në të cilat janë ngërthyer vit pas viti institucionet publike. Shqetësim më vete përbëjnë edhe kostot. Nga analizat e vetë Avokaturës së Shtetit, kostot për çdo asistencë në sallat e gjyqeve shkojnë në 11 mijë lekë për vitin 2017, për të arritur në total në 142 milionë lekë. Kosto që rriten më tej për vitin ku jemi. Avokatura e shtetit planifikon që kosto për gjyq të arrijë në 15 mijë lekë për vitin 2018, për të shkuar në total në 175 milionë lekë.
Për t’u theksuar është që bëhet fjalë vetëm për kostot e asistencës juridike në mbrojtjen e interesave pasurore te Shtetit Shqiptar nëpërmjet këshillimit dhe përfaqësimit në çështjet gjyqësore në të cilat është palë një organ i administratës shtetërore ose Republika e Shqipërisë. Aty nuk përfshihen kostot që humbet arka e shtetit në rastet e gjyqeve të humbura, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Administrata Tatimore, Agjencia e Trajtimit të Pronave, IKMT, e Bashkitë janë disa prej institucioneve me numrin më të madhe të përplasjeve gjyqësore.