Performanca e Shqipërisë në arritjen e objektivave të mijëvjeçarit (SDG) nga Kombet e Bashkuara është më poshtë mesatares rajonale. E renditur e 62-ta nga 165 shtete të ekzaminuara, Indeksi i SDG 2018 thekson se Shqipëria ka ende punë në përmbushjen e disa nga objektivave kryesore të vendosura, për pjesën më të madhe të të cilave kanë qëndruar në vendnumëro. Indeksi i SDG 2018 ofron një kartë raportimi për performancën e vendeve në Axhendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs). Raporti vjetor tregon se si udhëheqësit mund të përmbushin premtimet e tyre dhe u kërkon vendeve të mos humbasin kohë për reforma të rëndësishme. Ajo është prodhuar nga Rrjeti i Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDSN) dhe Bertelsmann Stiftung.
Ky indeks priret që të shpjegojë përparimin e vendeve drejt arritjes së SDGs dhe tregon fushat që kërkojnë përparim më të shpejtë. Sipas tij, detyrat e shtëpisë për Shqipërinë vijojnë të jenë: zero varfëri, barazi në punë, ndihmë për punësim, drejtësi dhe forcim i institucioneve. Ndërsa fushat ku ka bërë përparim gjatë monitorimit rezultojnë të jenë: aksione për ndryshimet klimatike, inovacioni në industri në ndryshme, përballueshmëria e përdorimit të energjisë.
Indeksi global i SDG dhe rezultatet sipas qëllimit mund të interpretohen si përqindje e arritjeve. Dallimi midis 100 pikëve të vendeve është distanca në përqindje që duhet të plotësohet për arritjen e SDG-ve dhe qëllimeve. Në rastin konkret, arritjet e Shqipërisë janë vetëm 31.1% nga 100 % të kërkuara për t’u implementuar. Në rajon, Serbia ka performuar më mirë se sa ne në detyrat e shtëpisë nga OKB, e renditur e 40-a, Maqedonia e renditur e 61-a, ndërsa Bosnjë – Hercegovina rezulton e fundit e 71-a.
Miratuar nga të 193 shtetet anëtare të OKB-së, programi i propozuar, që titullohet “Ta transformojmë botën: Programi për zhvillim të qëndrueshëm, 2030”, konsiston në një Deklaratë, 17 Objektiva për zhvillim të qëndrueshëm dhe 169 tregues të synuar, një rubrikë mbi mjetet e vënies në zbatim dhe partneritetin e ripërtërirë global dhe një kornizë për shqyrtim dhe ndjekje të ecurisë.
Cilat janë Objektivat për zhvillim të qëndrueshëm?
Eliminimi i varfërisë në të gjitha format kudo
Eliminimi i urisë, arritja e sigurisë ushqimore dhe përmirësimit të ushqyerjes dhe nxitja e bujqësisë së qëndrueshme
Sigurimi i jetës së shëndetshme dhe nxitja e mirëqenies për të gjithë njerëzit e çdo moshe
Sigurimi i arsimit cilësor gjithëpërfshirës dhe të drejtë dhe nxitja e mundësive për mësim gjatë gjithë jetës për të gjithë
Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave
Sigurimi i disponueshmërisë dhe menaxhimit të qëndrueshëm të ujësjellës-kanalizimeve për të gjithë
Sigurimi i lidhjes me energji të përballueshme, të sigurt, të qëndrueshme dhe moderne për të gjithë
Nxitja e rritjes ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, punësim të plotë dhe produktiv dhe punë të denjë për të gjithë
Ndërtimi i infrastrukturave rezistuese, nxitja e industrializimit gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm dhe nxitja e novacionit
Zvogëlimi i pabarazisë brendapërbrenda vendeve dhe mes tyre
Kthimi i qyteteve dhe vendbanimeve në gjithëpërfshirës, të parrezikshëm, rezistues dhe të qëndrueshëm
Sigurimi i modeleve të qëndrueshme të konsumit dhe prodhim
Marrja e masave për të luftuar ndryshimin klimatik dhe efektin e tij
Ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i oqeaneve, deteve dhe burimeve detare për zhvillimin e qëndrueshëm
Mbrojtja, restaurimi dhe nxitja e përdorimit të qëndrueshëm të ekosistemeve tokësore, administrimi i qëndrueshëm i pyjeve, lufta kundër kthimit të hapësirave në shkretëtirë dhe ndalimi dhe kthimi pas i procesit të degradimit të tokës dhe ndalimi i humbjes së biodiversitetit
Nxitja e shoqërive paqësore dhe gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, ofrimi i mundësisë për drejtësi për të gjithë dhe ngritja e institucioneve të efektshme, llogaridhënëse dhe gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet
Fuqizimi i mjeteve të vënies në zbatim dhe rigjallërimi i partneritetit botëror për zhvillim të qëndrueshëm.