Luksemburgu është i vendosur të bëhet vendi i pare në botë që do të ofrojë transportin publik falas. Çmimet në trena, tramvaje dhe autobusë do të hiqen verën e ardhshme sipas planeve të qeverisë së koalicionit të rizgjedhur nga Xavier Bettel, i cili u betua për një mandat të dytë si kryeministër vetëm pak ditë më parë.
Qeveria e Bettel synon t’i japë përparësi mjedisit, një nismë për të cilën ka lobuar gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Qyteti i Luksemburgut është ‘shtëpia’ e rreth 110 000 njerëz, por 400 000 të tjerë udhëtojnë në qytet për të punuar. Ai është cilësuar si një nga qytetet me trafikun më të rënduar në botë.
Kjo evidentohet edhe në një studim të bërë në vitin 2016, kur shoferët shpenzuan mesatarisht 33 orë të bllokuar në trafik. Ndërsa vendi ka në tërësi 600 000 banorë, pothuajse 200 000 njerëz që jetojnë në Francë Belgjikë dhe Gjermani kalojnë kufirin çdo ditë. Luksemburgu gjithnjë e më shumë ka treguar një qëndrim progresiv për transportin.
Këtë verë, qeveria mundësoi transportin falas për çdo fëmijë dhe të ri nën moshën 20 vjeç, si dhe ofroi lehtësi gjithashtu edhe për kategori të tjera.
Pas vendimit për transportin publik falas, qeveria e re po shqyrton gjithashtu legalizimin e kanabisit dhe futjen e dy festave të reja publike.
Më herët, Estonia po ashtu kishte planifikuar të ofronte shërbimin e transportit publik falas, një skemë e cila pritej të vihej në zbatim me 1 korrik të këtij viti.