Një hulumtim mbi shpenzimet për tekstet dhe materialet mësimore është kryer nga Lëvizja Për Universitetin.
Ky hulumtim – mbështetur në të dhënat e një pyetësori on line – është pjesë e një studimi më të përgjithshëm për kostot e studimit dhe jetesës të studentëve. Megjithatë mund të veçojmë disa të dhëna dhe të bëjmë interpretimet përkatëse për tekstet dhe materialet studimore. Pyetësorin e kanë plotësuar gjithsej 451 studentë, 80% në bachelor dhe 20% në master (për më tepër rreth trupës studentore që ka plotësuar pyetësorin shikoni figurën 3 në fund të materialit).
Në figurën 1 jepet shpërndarja e përgjigjeve për koston e teksteve mësimore. E kthyer në vlerë mesatare rezulton se kostoja mesatare[1] për tekstet është 16,150 Lekë në një vit akademik. Siç shihet, 54 studentë (12%) janë shprehur për kosto mbi 30,000 Lekë. Nga këta, 43 janë në bachelor e 11 në master. Nëse do të vrojtonim brenda degëve të ndryshme, vihet re se në përgjithësi për çdo degë rreth 10% e studentëve janë përgjigjur për këtë kategori, me përjashtim të Juridikut, ku 28% (12/43) e studentëve kanë zgjedhur vlerën mbi 30,000. Nëse këtë analizë e bëjmë duke i trajtuar së bashku të dy kategoritë më të shtrenjta (20,000-30,000 dhe mbi 30,000; gjithsej 104 studentë, ose 23% e totalit të studentëve) mesatarja e degëve në përgjithësi lëviz në intervalin 15-25%, me përjashtim të Juridikut, ku vlera tashmë është rritur në 44% (19/43).
Kështu, dukshëm studentët e Juridikut kanë kosto më të larta të teksteve mësimore. Si shpjegohet kjo?
A kanë librat e Juridikut kosto më të lartë shtypshkrimi? Jo, se kosto më të lartë shtypshkrimi kanë tekstet që shtypen me ngjyra për shkak të figurave (si për shembull në degët e Mjekësisë apo të Shkencave të Natyrës).
Apo numri i teksteve është më i lartë?
As kjo nuk mund të qëndrojë pasi normalisht planet mësimore kanë numër të përafërt lëndësh. Apo ndoshta te Juridiku shtrëngimi i studentëve nga pedagogët për të blerë libra është më i lartë se në fakultete të tjera?
Nga dëshmi që kemi marrë herë pas herë rezulton se pedagogë të caktuar të Juridikut kërkojnë që studentët t’i marrin tekstet edhe në provim, përndryshe penalizohen.
Ndonjëherë duhet edhe botimi më i fundit me ndryshime minimale nga botimet pararendëse, duke mos lejuar në këtë mënyrë qarkullimin e teksteve dorë më dorë nga vetë studentët.
Figura 1
Fakti që studentët e Juridikut nuk janë përgjigjur të gjithë njësoj lidhet edhe me faktorë të tjerë. Njëri prej tyre mund të jetë se një pjesë e studentëve i reziston presionit e shtrëngimit për t’i blerë të gjitha librat me detyrim, ose i blejnë ato libra që tregtohen me detyrim dhe fotokopjojnë gjithë të tjerët.
Fenomeni i sapopërmendur shtrihet në të gjithë fakultetet. Një pjesë e studentëve nuk i blen të gjithë librat, por zgjedh mënyra të tjera studimi, si p.sh. fotokopjimi, mbajtja e shënimeve etj. Nëse të gjithë studentët do të blinin të gjithë librat, kostoja e tyre për student do të ishte edhe më e lartë. Kësisoj të dhënat e tabelës së mësipërme nuk tregojnë gjithë të vërtetën mbi kostot e teksteve.
Në figurën 2 tregohet shpërndarja e përgjigjeve për pyetjen e dytë, atë të materialeve mësimore. Siç mund të vihet re, rezultatet janë shumë të ndryshme si shpërndarje, ku 54% e studentëve janë shprehur në kategorinë e shpenzimeve më të ulëta, gjë e cila është edhe një provë besueshmërie për sinqeritetin e përgjigjeve. E kthyer në vlerë mesatare rezulton se kostoja mesatare për materialet është 10,300 Lekë në një vit akademik.
***
Nuk mjaftojnë tarifat shumë të larta në krahasim me të ardhurat, kostot e jetesës shpesh të papërballueshme, por janë edhe çmimet e kripura të librave, në jo pak raste me detyrim, që ua vështirësojnë edhe më shumë studimet të rinjve në Shqipëri.
Në ditët në vijim Lëvizja Për Universitetin do t’i rikthehet çështjes së librave, dhe politikave që duhet të hartohen dhe ndërmerren, për të rregulluar fenomenet negative.
Figura 2
Figura 3
[1] Mesatarja është llogaritur duke i konsideruar përgjigjet në këto grupe: 5000, 12500, 17500, 25000 dhe 35000; si dhe duke pasur parasysh peshën specifike/përqindjet e secilit grup.