Presidenti Meta dekoron peshëngritësin Briken Calja me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Premte, 07 December 2018 12:11

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi peshëngritësin Briken Calja me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: “Për rezultatet e shkëlqyera si ‘Kampion i Europës’ në sportin e Peshëngritjes, duke shpalosur vlera të larta të një sportisti të talentuar; i suksesshëm në arenën kombëtare e ndërkombëtare”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar autoriteve vendore, sportistëve, kolegëve, familjarëve dhe miqve të kampionit shqiptar, gjatë një ceremonie solemne të organizuar në Shtërmen, vendlindjen e peshëngritësit, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Kam kënaqësinë e veçantë të nderoj një nga sportistët e shquar në sportin e peshëngritjes, Briken Calja, Kampionin e Europës dhe fituesin e tre medaljeve të Arta.

Brikeni u shpall kampioni më i ri i Europës në peshëngritje, pasi shkëlqeu në turneun e Bukureshtit.

Tre medalje të arta erdhën vetëm nga sportisti ynë, kampion i trefishtë kontinental dhe rezultat historik për vendin tonë.

Peshëngritësi nga Shtërmeni që mban titullin Kampion i Europës ka një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm për rezultatet e larta sportive, si në nivel kombëtar ashtu dhe ndërkombëtar, por mbi të gjitha ka vlera dhe merita të paçmuara në lartësimin e identitetit dhe promovimin e imazhit tonë kombëtar.

Briken Calja, tashmë ka zënë një vend të rëndësishëm në plejadën e sportistëve më të talentuar dhe më të suksesshëm të vendit tonë.

Jam i sigurtë se ky vlerësim i sotëm, do të jetë një motivim akoma më i madh për karrierën sportive të Brikenit, në arritjen e rezultateve të larta në gara të tjera të rëndësishme ndërkombëtare. 

Sportistë të kalibrit të Brikenit na lumturojnë dhe na nderojnë të gjithëve. Ata janë ambasadorët tanë më të mirë, duke përfaqësuar denjësisht flamurin, popullin dhe kombin tonë nëpër botë.

Të nderuar të pranishëm!

Shembulli i punës dhe suksesit të Briken Caljes është një burim frymëzimi, sidomos për të rinjtë e sotëm.

Nuk e them për dobësi të pasionit tim personal, por me bindje, se peshëngritja ka qënë dhe vazhdon të jetë një sport me traditë dhe me suksese të jashtëzakonshme në Shqipëri, falë djemëve dhe vajzave të talentuar, të cilët na kanë emocionuar dhe na ka bërë të ndihemi gjithmonë krenarë.

Titulli “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” që i akordohet sot peshëngritësit Briken Calja është një vlerësim i punës, sakrificave, rezultateve dhe respektit, që karakterizon Brikenin dhe që janë një pasqyrë reflektimi e frymëzimi për të gjithë sportistët tanë, përgjatë rrugës së mundimshme, të lodhshme e të vështirë, por edhe të sukseshme të sportit të Peshëngritjes.

I uroj Brikenit dhe gjithë sportistëve tanë përzemërsisht suksese në arritjen e rezultateve sa më të larta!”, - u shpreh Presidenti Meta.

Peshëngritësi Briken Calja duke falënderuar Presidentin Meta për vlerësimin u shpreh se: “Në radhë të parë ky është një vlerësim për sportin! Do të doja të falënderoj ish-ekipin tim të Shtërmenit, që më ka sjellë këtu ku jam sot!

Gjithashtu do të doja të falenderoja familjen time dhe të gjithë njerëzit që më kanë mbështetur e më kanë sjellë në këtë rrugë, që kam pasur duke ia dalë të jem Kampion i Europës.”.

Login to post comments