Një deklaratë interesante ka bërë sot Kisha katolike në Shqipëri e cila thotë se po ndjek me kujdes protestën e studentëve universitarë këto ditë si dhe është në dijeni të kërkesave të tyre.
“Të gjithë të rinjtë, e në mënyrê specifike studentët universitarë, janë një vlerë e madhe për të ardhmen e vendit tonë. Zëri i tyre duhet të dëgjohet nga institucionet përgjegjëse dhe kërkesat e tyre legjitime duhet të zgjidhen” – thuhet në deklaratë. Kisha heq një paralele të kësaj proteste me atë të studentëve të 90-ës.
“Kujtojmë rolin e tyre vendimtar në dhjetor të vitit ‘91 ndërsa diktatura komuniste përpëlitej në grahmat e fundit të saj. Studentët, e të rinjtë në përgjithësi, janë pjesa më energjike e shoqërisë si dhe duhet të mbështeten në rritjen dhe zhvillimin e tyre. Ne inkurajojmë studentët dhe institucionet arsimore dhe universitare në gjetjen e një gjuhe dialoguese për të mirën e të rinjve universitarë” – thuhet në deklaratë ku apelohet:
“Mbështesim çdo kërkesë legjitime nga ana e studentëve dhe çdo reformë që synon t’u vijë në ndihmë sidomos shtresave më të varfra të shoqërisë. Shprehim sigurinë tonë se ardhja në ndihmë të studentëve nga ana e institucioneve, gjetja e një gjuhe të përbashkët, përmirësimi i kushteve për të pas një kohë studimore më të frytshme, do të ndalonte edhe ikjen e shumë të rinjve jashtë Shqipërisë, fenomen ky shumë shqetësues i viteve të fundit” – thuhet ndër të tjera në deklaratën e Kishës Katolike.