Brenda këtyre viteve që ligjërisht drejton Partia Socialiste dhe Edi Rama, qeveria ka arritur të shndërrohet në portalin më të madh në vend. I vetmi shqetësim i saj është si e si të kapërdijë mosqeverisjen si sukses të madh. Qeveria me në krye Ramën është një agjenci tjetërsimi realiteti, një makineri shpifjesh e hedhje balte mbi çdo të vërtetë. Thënë ndryshe portal-qeveria është një kazan gënjeshtrash e kalbësirash që nisin nga ato enveriste e përfundonte te ato edramiste e soroiste. Ky portal propagandistik kërkon të jetë shefi i të gjitha portaleve, duke nisur nga regjistrimi i tyre në kazanin e qeverisë. Kjo e fundit, i sheh pra portalet si konkurrentë në treg. E kuptueshme sepse ky është ekzekutivi më i lehtë e më i leshtë në historinë e vendit, i ndërgjegjshëm se qeverisja është diçka dytësore përpara propagandës. Kësisoj, qeveria nuk ka kurrfarë shqetësimesh për të rritur mirëqenien ekonomike, të ardhurat, etj, por si e si të jetë më e klikueshme se portalet e tjera. Me Ramën që harxhon gjithë kohën në rrjetet sociale, apo me qatipët e tij që shohin rendimentin e normës së klikimeve, Shqipëria veçse gënjehet përditë e sigurisht nuk ka kurrfarë të ardhme. Portali më i madh në vend është një rrezik kombëtar. Prandaj edhe paketa “antishpifje” nuk është gjë tjetër veçse luftë e portalit më të madh kundër portaleve më të vegjël.