Bebet vdesin në maternitet për mungesë inkubatorësh

E mërkurë, 19 December 2018 10:20

Në një mbledhje rutinë mëngjesin e 11 janarit 2018 në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik ‘Koço Gliozheni’ në Tiranë, diskutimet u ndërprenë kur fjalën e mori një mjeke nga shërbimi i Neonatologjisë, e cila iu drejtua e shqetësuar ish drejtorit Arben Rugia.

“Nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë, po na vdes çdo ditë nga një fëmijë,” tha mjekja neonate, duke shtangur kolegët e saj. “Është e pamundur të punojmë në këtë situatë,” shtoi ajo, përpara se të ndërpritej nga Rugia, i cili e këshilloi që kjo bisedë nuk mund të bëhej në mbledhje.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se nga dita e Krishtlindjeve 2017 deri më 15 janar 2018, 11 foshnja të lindura ‘premature’ humbën jetën në këtë spital universitar. Në përgjigjen zyrtare, materniteti “Koço Gliozheni’ pranoi se gjysma e këtyre vdekjeve mund të ishin parandaluar, nëse spitalit nuk do t’i mungonin aparaturat e nevojshme mjekësore.

“Në më shumë se 50% të rasteve [që ndërruan jetë në fillim të janarit] bëhet fjalë për shtatzani shumë të vogla, për të cilat ne nuk kemi teknologji të përshtatshme për të siguruar mbijetesën,” tha spitali në një përgjigje me shkrim.

Në këtë maternitet ka një mungesë të theksuar inkubatorësh dhe shumica e inkubatorëve ekzistues janë jashtë funksionit. Pjesa e mbetur mund të përballojë vetëm gjysmën e pacientëve të vegjël që kanë nevojë për terapi intensive – një situatë e cila vazhdon prej vitesh, ndërkohë që Drejtoria e Spitalit dhe Ministria e Shëndetësisë kanë bërë një vesh shurdh dhe një sy qorr ndaj kërkesave të vazhdueshme të mjekëve.

Të dhënat zyrtare të siguruara nga BIRN dhe intervistat me mjekë dhe drejtues spitalesh tregojnë se maternitetet shqiptare kanë një mungesë të theksuar inkubatorësh dhe pajisjesh mjekësore të nevojshme për të trajtuar foshnjet e lindura para kohe – një situatë e rënduar prej vitesh që po rrit në mënyrë alarmante vdekshmërinë foshnjore.  

“Ka të paktën 15 vite që në këtë shërbim nuk është bërë asgjë, vetëm ca prekje të vogla. Ministria i di të gjitha dhe jo vetëm kjo ministri, por të gjithë… pasi ky është një problem që vazhdon prej vitesh,” tha Edi Tushe, shefi i shërbimit të Neonatologjisë në “Koço Gliozheni”.

“Edhe ato aparatura që kemi janë shumë të vjetruara në teknologji. Duhet të kesh mik ndonjë ministër apo dikë tjetër të rëndësishëm në qeveri që t’i lutesh e të sjellin ndonjë gjë për spitalin,” shtoi ai, duke nënvizuar se stafi i mjekëve dhe i infermierëve po i rrudhet çdo ditë nga dorëheqjet për shkak të kushteve ‘të papranueshme’ të punës.

“Koço Gliozheni” nuk është i vetmi maternitet në Shqipëri që ka mungesë inkubatorësh, mjekësh dhe pajisjesh të tjera mjekësore, jetike për mbijetesën e foshnjave të lindura me probleme. Të dhënat e siguruara nga BIRN dhe intervistat me mjekë dhe drejtues në spitalet rajonale, tregojnë që e njëjta situatë alarmante është e përhapur në të gjithë Shqipërinë, e cila në vitin 2016 regjistroi për herë të parë në dy dekada, rritjen e vdekjeve tek fëmijët nën moshën 1 vjeç.

Vdekje të paralajmëruara

Shifrat e vdekshmërisë foshnjore në Shqipëri janë ndër më të lartat në rajonin e Ballkanit. Sipas të  dhënave të Agjencisë së Vlerësimit të Vdekshmërisë Foshnjore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Shqipëri ka pasur 6.2 vdekje për 1000 fëmijë të lindur në vitin 2017 – vendi i dytë pas Maqedonisë për vdekshmërinë foshnjore në rajon.

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT, vdekjet e fëmijëve nën 1 vjeç në Shqipëri u rritën me mbi 19 për qind gjatë vitit 2016, duke shënuar edhe rritjen e parë në dy dekada të këtij treguesi. Gjatë vitit 2016, 277 fëmijë nën 1 vjeç humbën jetën nga 233 vdekje të tilla që qenë shënuar në vitin 2015. Përgjatë 2017-ës janë shënuar 248 vdekje nën 1 vjeç përkundër 30,869 lindjeve të regjistruara.

Pjesë e kësaj tabloje të zymtë statistikore janë edhe 11 foshnjat që humbën jetën në maternitetin ‘Koço Gliozheni’ në fillim të vitit 2018. Dy mjekë që ishin të pranishëm  gjatë mbledhjes së 11 janarit dhe folën në kushtet e anonimatit, i thanë BIRN që numri i lartë i vdekjeve për një kohë aq të shkurtër e kishte tronditur stafin mjekësor të spitalit.

“Sapo dolëm nga mbledhja u interesuam se çfarë kishte ndodhur dhe morëm vesh që 24-orëshin e fundit kishin ndërruar jetë dy foshnja dhe 10 në total për 10-ditëshin e parë të janarit,” tha një mjek gjinekolog me 15 vjet eksperiencë. “Ishte vërtet tronditëse,” shtoi ai.

Një mjek tjetër i shërbimit të gjinekologjisë shpjegoi që në shërbimin e Neonatologjisë në atë periudhë kishte më shumë pacientë se inkubatorë, ‘kështu që bëheshin edhe lidhje dyshe’ të foshnjave në pajisjet mjekësore jetike për mbijetesën e tyre.

“Unë kam 10 vjet që punoj aty dhe nuk ka ndodhur kurrë një situatë e tillë, ishte vërtet absurde, edhe pse fëmijët, sipas asaj që mësuam, ishin të gjitha lindje me problem,” tha ai. “Më besoni, që për një mjek është dëshpëruese të punojë në një situatë të tillë.”

Në një përgjigje të detajuar për BIRN, maternitetin ‘Koço Gliozheni’ u ankua se nga 24 inkubatorë që i duhen, ka vetëm 6 në funksion. Por inkubatorët nuk janë të vetmet pajisje mjekësore që i mungojnë shërbimit të Neonatologjisë të këtij spitali. Mungesa ka në ventilatorë, pulsoksimetër, pompa infuzive, laringoskopë dhe një listë të gjatë pajisjesh të tjera, të cilat janë të nevojshme për të trajtuar foshnjat e lindura me probleme. Edhe ato pak pajisje që janë funksionale, janë të vjetra dhe të amortizuara, kushte që sipas mjekëve kërcënojnë seriozisht shërbimin ndaj pacientit.

Shefi i shërbimit të Neonatologjisë, Edi Tushe tha në një intervistë për BIRN se materniteti “Koço Gliozheni” ka një mesatare prej 4500 lindjesh në vit, ndërkohë që mesatarisht janë rreth 700 fëmijë që shtrohen në terapinë intensive dhe kanë nevojë për kujdes të specializuar.

“Në kushtet që kemi mund të përballojmë 50 % të rasteve,” nënvizoi Tushe.

Profesor Tushe sqaron se prej vitesh, mjekët e këtij shërbimi i kanë dërguar me dhjetëra shkresa drejtorisë së spitalit, e cila më pas ia delegon Ministrisë, ku i vë në dijeni për situatën ‘skandaloze’ ku duhet të punojnë, por  të gjitha kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër. Disa prej këtyre kërkesave, të lexuara nga BIRN, paralajmërojnë drejtorinë e spitalit se kujdesi ndaj shëndetit të pacientëve nuk është më i mundur me aparaturat dhe pajisjet mjekësore në dispozicion.

“Mungesa e aparaturave dhe aksesorëve e bën të pamundur kujdesin që duhet ofruar për neonatët intensivë dhe subintensivë,” shkruan Tushe në një shkresë drejtuar Drejtorisë së Spitalit në shtator 2017.

Një paralajmërim të ngjashëm mban dhe një kërkesë më e herët në kohë, e vitit 2016. Në janar të 2018-ës, pas vdekjes së 11 foshnjave, materniteti i ka dërguar një relacion të zgjeruar Ministrisë së Shëndetësisë për situatën e vështirë në të cilën ndodhet, por sërish nuk ka pasur asnjë reagim konkret. Sipas përgjigjes zyrtare për BIRN, aktualisht materniteti ka 20 inkubatorë jashtë funksionit dhe 6 në funksion, ndërkohë që në terapinë intensive çdo ditë kanë nevojë për shërbim 18 deri në 34 bebe.

“Gjatë 2017 në repartin e kujdesit intensiv u shtruan 957 fëmijë, me një mesatare ditë-qëndrimi në inkubator nga 2 deri në 98 ditë,” shkruhet në përgjigjen e maternitetit “Koço Gliozheni”.

“Ka ditë që në inkubatorë janë 8-19 fëmijë prej të lindurve në maternitet dhe 6-15 fëmijë të ardhur nga rrethet. Shtretër të zënë mesatarisht çdo ditë janë 18 dhe në ditë të caktuara mund të shkojë deri në 34,” shton materniteti.

Ndërkohë, në një kërkesë urgjente që mban datën 22 nëntor 2018, drejtuar kreut të këtij spitali dhe nëndrejtorit ekonomik, shërbimi i Neonatologjisë vë në dijeni për të disatën herë drejtuesit e lartë se ka nevojë emergjente për zëvendësimin e dozimetrave të ajrit dhe oksigjenit, të cilat janë pothuajse jashtë funksionit.

“Ju rikujtojmë se mosfunksionimi i tyre e bën të pamundur kryerjen e reanimimit të bebeve që kanë nevojë për reanimim në sallat e lindjes dhe operacionit. Ky problem është prezent prej shumë kohësh, por janë gjetur forma alternative për të realizuar këtë funksionim provizor të tyre. Aktualisht reanimimi është i pamundur me aparatet Neo Puff,” shkruan shërbimi i Neonatologjisë, i cili i kërkon drejtorisë së spitalit “të marrë masa në mënyrë emergjente për njësitë reanimatore (Neo Puff) në sallat e lindjes, të zëvendësohen rezistencat që prej kohësh nuk funksionojnë”.

Kjo qendër spitalore universitare, që pret rastet më të rënda edhe nga të gjitha spitalet e rretheve, ka vetëm një laringoskop – një instrument shumë i domosdoshëm për të hapur rrugët e ajrit dhe realizuar kështu frymëmarrjen e drejtuar nga aparaturat. Materniteti përballet me vështirësi edhe kur duhet të dërgojë një të porsalindur me probleme shëndetësore drejt QSUT-së, pasi ka vetëm 2 inkubatorët për transport intensiv, të cilët janë të vjetër mbi 20 vjet dhe të papërshtatshëm.

Një infermiere e shërbimit të terapisë intensive që foli me BIRN në kushtet e anonimatit nënvizoi që gjendja në shërbimin e Neonatologjisë ishte dëshpëruese.

“Kemi nevojë për aparatura dhe medikamente,” tha ajo. “Si t’i them unë një prindi që nuk ka maskë oksigjeni për fëmijën e tij… Ne kemi vetëm duart, por këta fëmijë nuk shpëtohen vetëm me duart tona,” shtoi infermierja.

Megjithatë, pavarësisht  vështirësive të mëdha materniteti deklaron se “ndodh ekstremisht rrallë” që të fusin dy fëmijë në një inkubator, por edhe në rastet kur ndodh, bëhet për të lindurit binjakë, pasi sipas tyre kjo ka vetëm efekte negative në shëndetin e foshnjes.

Kushtet e punës largojnë mjekët

Sipas shefit të shërbimit të Neonatologjisë, Edi Tushe, mungesa e kushteve në punë po sjell largimin e mjekëve specialistë dhe të infermierëve. Vetëm gjatë 2018-ës kanë dhënë dorëheqjen nga posti i mjekut neonat në këtë maternitet 3 mjekë. Nga 45 infermiere që i duhen këtij reparti intensiv dhe subintensiv, në organikë janë vetëm 20 infermierë, ndërkohë aktualisht në punë janë 17 – pasi një pjesë e tyre marrin leje barrë lindjeje apo kanë probleme të tjera shëndetësore.

“Po më ikën edhe një mjek dhe shumë shpejt do punoj me 4 mjekë neonatë nga 8 që e kemi strukturën,” tha Tushe. “Për çdo mungesë dhe problem kemi vënë në dijeni të gjitha instancat, por situata vazhdon pa zgjidhje prej vitesh,” shtoi ai.

Një nga mjeket që është larguar nga shërbimi i Neonatologjisë në “Koço Gliozheni”, por që nuk donte të identifikohej, i tha BIRN se nuk mund ta përballonte më të punonte në ato kushte.

“Ata që po qëndrojnë ende në atë shërbim janë heronj, ju nuk e imagjinoni dot se si punohet aty,” tha mjekja.

“Unë për vete nuk munda të punoja më në ato kushte skandaloze, ishte e papërballueshme psikologjikisht të mos mundesh të ndihmosh një fëmijë se nuk ka aparatura spitali, ndaj u largova,” shtoi ajo.

Edhe 4 mjekët e mbetur në këtë shërbim duke se po arrijnë pikën e tyre të vlimit, dhe në një shkresë të 20 nëntorit për drejtorin Genci Hyska, kërcënojnë dorëheqjen kolektive, duke nënvizuar se prej 2 vitesh janë sforcuar në pritje të një zgjidhje konkrete.

“Është paralajmëruar në relacionet e mbarëvajtjes së punës në repart që mungesa e personelit mjekësor kërcënon seriozisht sigurinë dhe cilësinë e shërbimit ndaj pacientit,” shkruajnë mjekët.

“Meqenëse nuk kemi asnjë zgjidhje konkrete, ndjehemi të detyruar t’ju njoftojmë se kjo situatë është bërë tashmë e papranueshme dhe e patolerueshme – ne shumë shpejt do të detyrohemi të japim dorëheqjen kolektive,” paralajmërojnë ata, duke u lutur që të ndërmerren hapa për mbushjen e vakancave.

Megjithatë, Tushe nënvizon që rekrutimi i mjekëve të rinj në një kohë të shkurtër nuk është i thjeshtë.

“Unë ia kam thënë Ministrisë se çfarë duhet të bëjë, por problemi është se këta i bëjnë strategjitë dhe i mbyllin në sirtar,” tha ai. “Një mjek neonat duhet të planifikohet 5 vite më parë, kurse këtu tek ne hapen konkurset dhe nuk vjen askush – duhet mbështetje dhe stimul,” shtoi Tushe.

Braktisja e materniteteve të rretheve

Sipas të dhënave të raportuara nga INSTAT dhe dy qendrat universitare spitalore obsetriko-gjinekologjike ‘Koço Gliozheni’ dhe ‘Mbretëresha Geraladinë’, më shumë se një e treta e lindjeve në vend ndodh në këto dy maternitete.

Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” deklaron 7120 lindje të reja, ndërkohë që numri i foshnjave që ndërruan jetë në këtë spital deri në një muaj pas lindjes është 38 . Për periudhën janar-qershor 2018,  ky maternitet regjistroi 3117 lindje të reja, ndërkohë që kanë ndërruar jetë 25 prej tyre, përkundër 445 rasteve që kanë pasur nevojë për reanimim neonatal.

Nga ana tjetër, materniteti “Koço Gliozheni” raportoi mesatarisht 4500 lindje përgjatë vitit 2017, ndërkohë që në repartin e kujdesit intensiv janë shtruar gjithsej 957 të porsalindur. Ndër fëmijët e shtruar në këtë repart, vetëm 630 neonatë janë të lindur në këtë maternitet, ndërsa 327 të tjerë janë të ardhur prej rretheve, ose të rikthyer.

Gerta Hagen, drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit Spitalor i Nënës dhe Fëmijës, i cili që prej vitit 2014 operon në maternitetet “Koço Gliozheni”, “Mbretëresha Geraldinë” dhe tani po bashkëpunon edhe me maternitetin e Fierit, shprehet se megjithë problemet që kanë spitalet universitare, ato nuk mund të krahasohen me katandisjen e materniteteve rajonale.

“Do të gënjenim nëse do të thonim që nuk ka probleme, por unë nuk kam parë mjekë të neglizhojnë punën, të paktën në neonatologji,” tha ajo.  “Nëse i krahasojmë dy maternitet e Tiranës, ata janë “Sheratoni” në krahasim me maternitetet rajonale,” shtoi ajo.

Në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi nga BIRN mbi numrin e inkubatorëve në spitalet shqiptare, Ministria e Shëndetësisë u përgjigje se në total ishin 134. Por intervistat me mjekë dhe drejtues spitalesh tregojnë që ky numër inkubatorësh lidhet më shumë me hyrjet në inventarë se sa me pajisjet funksionale nëpër maternitete.

Për shembull, për “Koço Gliozhenin” Ministria e Shëndetësisë tha se ka 27 inkubatorë, ndërkohë që spitali i tha BIRN se punojnë vetëm 6.

Materniteti i Korçës ka regjistruar në vitin 2018, 988 lindje nga ku 85 foshnja kanë pasur nevojë për inkubator. Sipas përgjigjes zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, ky maternitet ka 7 inkubatorë. Të dhënat e Ministrisë hidhen poshtë nga drejtori i maternitetit të Korçës, Ardit Konomi.

“Në maternitetin e Korçës ndodhen 3 inkubatorë dhe 10 poste oksigjenimi, ku aktualisht një inkubator është me defekt,” tha ai, ndërsa theksoi se ka mungesa në stafin mjekësor, konkretisht për 2 mjeke obstetër-gjinekolog. “Shërbimi aktualisht mbulohet nga mjekë të dalë në pension,” tha ai.

Ministria i tha BIRN nëpërmjet përgjigjes zyrtare se në maternitetin e Durrësit ka 10 inkubatorë. Por edhe kjo e dhënë rezulton e pasaktë.

“Neonatologjia pajisjet i ka të mira, por duhen edhe më të mira akoma, pasi koha evoluon. Sepse kur i përdor gjërat, ato normalisht do vijë një ditë që duhen rinovuar. Ne kemi dy ekografi, por duhet edhe një tjetër. Kemi kërkuar gjithashtu edhe monitor, megjithëse në repartin tonë figurojnë tre të tillë. Inkubatorë kemi 6, tre funksionalë dhe tre më të vjetër që na shfaqin herë pas here probleme, duke u prishur, ndaj i kemi kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë edhe 3 të tjerë”, tha Arjan Prodani, drejtori i maternitetit të Durrësit.

Në maternitetin e Durrësit numri i lindjeve në një vit shkon deri në 2500.

“Përsa i përket stafit mjekësor kemi mungesa të konsiderueshme, jemi vetëm 3 mjekë neonatë, ndërkohë që duhet të ishim 6-7 të tillë, madje edhe nga tre që kemi mbetur, njëra ka dalë në pension por vijon të punojë,” tha Prodani.

Por edhe në ato maternitete ku inkubatorët janë të mjaftueshëm, ka mungesë pajisjesh të tjera dhe të stafit mjekësor.

“Kemi mungesë të aparaturave, kryesisht të aparateve për oksigjenim dhe respiratore. Mendoj se situata e inkubatorëve përsa i përket numrit të lindjeve është e përballueshme për momentin, ndërsa stafi jo gjithnjë është i mjaftueshëm,” i tha BIRN Servete Stakaj, doktoreshë në spitalin rajonal në Shkodër.

“Por të kishim edhe disa mjekë të tjerë në këtë sektor, shërbimi nuk do të ishte keq, madje do të na lehtësonin punën edhe ne të tjerëve,” shtoi ajo.

Mungesat janë të theksuara edhe në spitalet bashkiake të qyteteve të vogla, të cilat rastet e emergjencave i transferojnë në spitalet rajonale ose në dy qendrat universitare në Tiranë.

“Kemi vetëm një inkubator të kohës së komunizmit dhe dy dhoma neonate me ujë të ngrohtë e të ftohtë, kondicioner etj,” tha Kujtim Albrahimi, përgjegjësi i maternitetit bashkiak të Librazhdit.

“Në fakt duhet edhe një inkubator tjetër, duke parë numrin e lindjeve në maternitetin tonë. I kemi bërë kërkesa edhe Ministrisë së Shëndetësisë, jo për ta bërë pa faj, por mbase edhe Ministria kaq ka mundësitë,” shtoi ai.

Mungesat e mjekëve dhe aparaturave spitalet rajonale dhe bashkiake po sjellin gjithashtu pasoja fatale për pacientët.

Vetëm pak ditë më parë, më 7 dhjetor në Bulqizë, një grua shtatzënë humbi trinjakët e saj. Spitali nuk kishte mjek dhe lindja e parë është pritur nga një infermiere, derisa ka mbërritur me emergjencë nga Tirana ekipi i mjekëve ekspertë.

“Materniteti nuk kishte asnjë kusht, ndaj ne shkuam për të ndjekur shtatzaninë në Tiranë, madje më 8 dhjetor kishte kontrollin e radhës. Ata thjesht më thanë se lindi përpara kohe, por Bulqiza nuk ka asnjë mjek gjinekolog, këtu ka mbaruar çdo gjë,” tha Ferit Rexhepi, bashkëshorti i saj, ende i traumatizuar nga ngjarja, që sipas tij mund të ishte evituar.

Drejtori i Spitalit Bulqizë, Hazis Jella i pyetur në lidhje me rastin në fjalë, i tha BIRN se stafi bëri të gjithë përpjekjet dhe grupi nga Tirana erdhi shumë shpejt, por ishte i pamundur shpëtimi i foshnjave për shkak edhe të moshës së tyre të vogël. Jella nuk dha përgjigje në lidhje me mungesën e mjekut obstetër-gjinekolog në këtë maternitetit.

“Ne kemi mjekë që shërbejnë për çdo lloj urgjencë, këto janë kapacitetet tona,” sqaroi ai.

Për Gerta Hagen, handikapi qëndron tek mungesa e sistemi i referimit, i cili jo vetëm do të jepte një panoramë të qartë se çfarë diagnozash mund të trajtojë çdo spital qoftë rajonal, qoftë bashkiak, por një gjë e tillë do të ulte mbingarkesën edhe në spitalet Tiranës.

“Nuk kemi një protokoll të mënyrës se si rastet referohen. Në gjithë botën nuk ka spitale rajonale të specializuar për çdo gjë, por ke qendra të specializuara të grumbulluara,” tha ajo. “Për mua sistemi i referimit do të ishte një ndër masat më me sens në ruajtjen e shëndetit,” shtoi ajo.

Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherazi gjinekologu i njohur Halim Kosova i tha BIRN se mungesa e aparaturave është një çështje serioze, por që zbehet  për nga rëndësia në krahasim me largimin e mjekëve.

“Sa më shumë inkubatorë, aq më mirë normalisht. Nëse një spital nuk ka mjek, ai spital nuk ka se çfarë të porosisë,” tha ai.

“Për spitalet e rretheve duhet të bëhet një përllogaritje të lindjeve për të hapur më pas diskutimin nëse duhet të mbahen apo jo këto spitale,” shtoi Kosova.

Edi Tushe nënvizon se sugjerimet për zgjidhje nuk kanë munguar, por vullneti i autoriteteve për t’i zbatuar ato është shterpë.

“Ministria e Shëndetësisë e di se çfarë duhet bërë. Kam qenë pjesë e grupit të punës që ka hartuar strategjinë për shëndetin riprodhues, e cila përfundoi vjet, dhe aty ka një kapitull të veçantë për vdekshmërinë foshnjore,” tha ai.

“80% e vdekshmërisë foshnjore janë neonatë dhe pa ndërhyrë në këtë shërbim, rrezikojmë të bëjmë hapa prapa sa i përket këtij treguesi,” paralajmëroi Tushe.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...