Presidenti Ilir Meta ka komentuar sot për mediat kthimin e ligjit për “Tatimit mbi të ardhurat”. I pyetur për rrëzimin e dekretit të tij nga Kuvendi me procedurë të paqartë parlamentare, Presidenti Meta deklaroi me ironi se “nuk besonte se kjo ka ndodhur”, pasi ende presidenca nuk ka dhënë shpjegimet e saj për arsyet e kthimit të ligjit. Saktësojmë se ky ligj ishte hartuar nga vetë oligarkët, të cilët ia kishin kaluar qeverisë dhe kjo e fundit e votoi në parlament për ti falur dhjetra milionë euro taksa oligarkëve. Ndërkohë qeveria nuk jep lekë për ti kaluar në favor të studentëve, të cilët akoma janë në protestë. Specialistët e financës thonë se sikur qeveria të mos falte këto miliona biznesmenëve oligarkë, me kaq lekë rregulloheshin 140 mijë studentë.
“Nuk besoj të ketë ndodhur, sepse ka rregulla mjaft të qarta se si funksionohet në Kuvend në raste të tilla. Dhe përfaqësuesit e Institucionit të Presidentit, që ka kthyer këtë projektligj përmes dekretit, ende nuk janë ftuar për të dhënë shpjegimet dhe argumentet e tyre”,- tha Presidentit Meta.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka komentuar nga Pogradeci edhe propozimin e opozitës për vettingun në politikë. Meta theksoi se vettingu në politikë është mjaft i rëndësishëm dhe duhet gjetur mënyra për ta realizuar atë. Sipas tij ndarja e politikës nga krimi është një domosdoshmëri. ‘Vettingu në politikë është i domosdoshëm. Duhet gjetur mënyra për ta realizuar vettingun në politikë’, deklaroi Meta. Kujtojmë që sot mazhoranca rrëzoi kërkesn e opozitës për vetting në politikë.
Ndërkohë kreu i shtetit u bëri apel palëve që të gjejnë sa më shpejt dakordësinë për Reformën Zgjedhore. ‘Palët të gjejnë marrëveshjen për Reformën Zgjedhore. Marrëveshja për të kthyer besimin tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Jemi të vonuar në Reformën zgjedhore’, u shpreh Meta.
Gjithashtu Meta komentoi edhe vendimin e qeverisë për dëbimin e ambasadorit të Iranit nga vendi jonë. ‘Aprovoj vendimin për dëbimin e ambasadori iranian’, tha kreu i shtetit. Më tej Meta deklaroi edhe njëherë se duhen plotësuar kërkesat e studentëve pasi ato janë të drejta dhe legjitime. ‘Kërkesat e studentëve të marrin përgjigje. Kërkesat e studentëve janë të drejta dhe legjitime. Studentët të kthehen në auditore të mos ikin nga vendi’, përfundoi kreu i shtetit shqiptar.