Greqia ‘tkurret’ si investitore në Shqipëri, Zvicra merr krahun

Tuesday, 25 December 2018 08:47

Prej vitesh Greqia ka qenë investitori më i madh në vend, si rrjedhojë e investimeve të larta në fushën e telekomunikacioneve dhe bankave.

Por, tashmë shteti fqinj helen pothuajse e ka lëshuar terrenin dhe vendin e saj po e zë Zvicra, shtet në fakt që po raportohet si origjina e gazsjellësit TAP.

Sipas statistikave të fundit të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë 2018, stoku i investimeve të Greqisë (investimet nga ky shtet në vite) arriti në 1.24 miliardë euro, me një rënie prej 2.4% në raport me tremujorin e mëparshëm. Që prej tremujorit të parë 2017, ky tregues ka qëndruar pothuajse në të njëjtat nivele, duke reflektuar tërheqjen e bankave dhe stanjacionin e kompanive të telekomunikacionit, të cilat në një treg të maturuar nuk po bëjnë më investime. Në vitin 2010, katër banka me kapital grek zinin rreth 24% të aktiveve të sistemit bankar shqiptar, ndërsa sot ka mbetur vetëm një bankë, që zë rreth 5% të totalit. Të tjerat u shitën apo janë në proces shitjeje si rrjedhojë e strategjisë së bankave greke për tu tërhequr nga rajoni.

Capture 366px;">

Që pas viteve ’90, kompanitë greke kanë sjellë 17% të investimeve që janë kryer ë Shqipëri në total, të cilat arritën në 7.35 miliardë euro në fund të muajit shtator.

 

Me shpejtësi, që prej vitit 2015, kur nisi punimet gazsjellësi TAP, po rriten investimet e një shteti tjetër, Zvicrës, stoku i së cilës arriti në 1.23 miliardë euro në fund të tremujorit të tretë (po rreth 17% e totalit), duke pasur një diferencë shumë të ulët me Greqinë dhe duke iu afruar me shpejtësi vendit të parë. Nga Zvicra raportohen investimet e gazsjellësit TAP, i cili në fakt është investim i një konglomerati shtetesh. Aksionerët e TAP janë: BP (20 për qind), SOCAR (20 për qind), Snam S.p.A. (20 për qind), Fluxys (19 për qind), Enagás (16 për qind) dhe Axpo (5 për qind), që janë përgjithësisht kompani ndërkombëtare, por me seli qendrore përkatësisht: BP-Britania e Madhe; SOCAR-Azerbaxhan; Snam-Itali; Fluxys-Belgjikë; Enagas-Spanjë; Axpo-Zvicër. TAP është investimi më i madh historik në Shqipëri me një totol prej rreth 1.5 miliardë eurosh, që pritet të përfundojë në 2019-n.

Investitori i tretë më i madh në vend këtë vit ka kaluar Holanda, me një stok prej 995 milionë eurosh (13.5% e totalit), përmes kompanisë, që po ndërton hidrocentralet mbi lumin e Devollit. Ndonëse tashmë, HEC i Devollit po ndërtohet nga norvegjezët e Statkraft, Banka e Shqipërisë e pohon se investitori direkt i Statkraft është holandez.

Capture 35

Si investitor i katërt ka kaluar Kanadaja (prej shumë vitesh i dyti), me 940 milionë euro në fund të tremujorit të tretë, ose 12.8% e totalit . Efektin e ka dhënë Bankers Petroleum, e cila ndonëse tashmë është shitur te kinezët e Geo Gade, konsiderohet me kapital kanadez.

Italia, ndonëse është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe ka numrin më të madh të bizneseve të huaja renditet e pesta për nga stoku i investimeve, me 650 milionë euro (8.8% e totalit). Nga Italia kanë munguar investimet e mëdha në vite dhe sipërmarrjet që kanë hyrë janë përgjithësisht të vogla.

Pas italisë renditen Turqia, Austria, Franca. Franca ka shënuar rritje të lartë, por që lidhet me kompaninë Spiecapag, që është nënkontraktor i TAP/Monitor/

Login to post comments