Zbulohet pabesia e Ramës me studentët

Tuesday, 25 December 2018 10:44

Në program buxhetor afatmesëm qeveria nuk përmbush asnjë prej detyrimeve bazike në universitete. Projekti mban të paprekur ligjin e Arsimit të Lartë. Parashikon të vjelë fonde për kërkime nga donatorë privatë

 “Reforma e arsimit të lartë shqiptar nis me abrogimin e ligjit ekzistues krejtësisht absurd dhe i mbrapshtë, dhe mund të kryhet vetëm si kontribut i të gjithë faktorëve shoqërorë, studentëve që i thanë ndal! Abuzimit me ta, me qeverinë, me partitë parlamentare, me shoqërinë, si edhe me pedagogët e përfaqësuesit e universiteteve”. Kjo fjali përmbledhëse e profesor Artan Fugës e shtjelluar më tej edhe me argumentet se plotësimi i 8 kërkesave të studentëve kryhet vetëm me rrëzimin e ligjit, duket se nuk ka rënë në sy të qeverisë, ose të paktën mbetet e paekspozuar për këtë të fundit.  Një javë më parë, qeveria korrigjoi dokumentin e buxhetit afatmesëm, çka la të nënkuptohej se ishin studentët ata që motivuan ndërrimin e programit financiar të qeverisë.  Por, kryeministri Edi Rama, edhe pse ka deklaruar se kërkesat e studentëve do të bëhen realitet gjatë vitit në vijim, nuk ka përmendur në asnjë prej perifrazimeve idenë për rishikimin e ligjit. Pra, presioni i studentëve e peticionet e pedagogëve nga njëra anë dhe premtimet qeveritare nga ana tjetër, duket si dy pika që do të takohen një ditë, por që ligji Arsimit të Lartë e mban gjithnjë të devijuar rrugën e tyre të takimit. Në projektimet afatmesme 2019-2020, misioni i Ministrisë së Arsimit për universitetet mbetet thjesht dhe vetëm teorik, i korrigjuar me ornamente, të cilat nuk i japin ndonjë përgjigje specifike studentëve për hallet që iu kanë rënë mbi shpinë.

Premtimet për universitetin

Ligji i Arsimit të Lartë, në nenin 109 të tij, neni i cili shkaktoi këtë derexhe që shohim sot, duke listuar burimet e financimit, vendos ndër të tjera edhe donacionet si mundësi për gjenerimin e fondeve, të dhuruara këto nga subjekte dhe ente private. Faktikisht, që kur ligji hyri në fuqi nuk është publikuar asnjë bilanc financiar se sa lekë kanë mbledhur universitetet me këtë zë. Në buxhetin afatmesëm Ministria e Arsimit synon që 30 për qind të financimit për kërkimin shkencor ta mbledhë përmes enteve private, praktikë kjo e cila nuk lë shumë mend për aksioma. Më tej, MASR angazhohet që të nxisë punën kërkimore në Arsimin e Lartë nëpërmjet financimit të drejtpërdrejtë të 4000 kërkuesve në periudhën 2019-2021, një veprim ky i nxitur nga protestat,  por që ende nuk ka një strategji zbatimi. Ndërkohë pikat e tjera nuk ngjallin ndonjë kërshëri të veçantë, pasi qëndrojnë të tilla të pandryshuara prej vitesh. Ndër to, dokumenti përmend sigurimin  e cilësisë në arsimin e lartë në nivel institucional e të programeve të studimit sipas kritereve e standardeve ndërkombëtare të HEAL-it, në përputhje me kërkesat e tregut lokal dhe kombëtar të punës. 100 për qind e institucioneve të Arsimit të Lartë, deri në vitin 2021, të sigurojnë akreditimin institucional dhe akreditimin e programeve të studimit. Konkretisht, rritja e numrit të programeve që akreditohen nga 237 në vitin 2018 në 513 në vitin 2021. Rritja e kapaciteteve akademiko-kërkimore dhe stafit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në përmbushje të standardeve akademike. 95 për qind e doktorantëve të jenë pjesë e stafeve të departamenteve me kohë të plotë në vitin 2021. Rritja e mobilitetit të stafit dhe studentëve me 20 për qind ndaj vitit paraardhës, është një tjetër angazhim i shkruar në dokumentin e buxhetit afatmesëm. Po aty qëndron i pluhurosur edhe një e drejtë themelore e cenuar dhe e shkelur nga universitetet. 100 për qind e studentëve ekselentë dhe studentëve në nevojë të përfitojnë bursa, tarifë shkollimi zero dhe kredi studentore në vitin 2021. Pra, disa prej këtyre pikave, përfshirë edhe këtë të fundit për dhënien e kredive studentore,  janë pjesë e paketës të dalë nga Ligji në fuqi i Arsimit të Lartë, dhe që qeveria po angazhohet për ta mbrojtur me forcë dhe premtime që rrezikojnë të zhbëhen që në vigjilje. “Duhet një konsensus i madh mbarëkombëtar për një strategji universitare për shekullin e 21-të. Përgjegjësia është e të gjithëve! Studentët na kanë vendosur me shpatulla për muri me shumë të drejtë! Përndryshe do të mbetemi kombi më budalla në Evropë! Madje kam frikë se jemi tashmë!”, e mbyll refleksionin e tij profesor Artan Fuga, i cili pas firmës që hodhi në peticionin e pedagogëve, tashmë pret, pret, pret…

Fondet

Fondet për arsimin e lartë gjatë 3 viteve në vijim parashikohen me rritje progresive që mbërrijnë në vitin 2021 në 8 miliardë lekë. Këtë vit, universitetet morën nga qeveria 7.2 miliardë lekë,  ndërsa në vitet 2019-2020 për to llogariten që të ndahen përkatësisht, 7.3 dhe 7.5 miliardë lekë. Për t’u kuptuar nga të gjithë, është pikërisht ky nivel fondesh, që i mban studentët të revoltuar dhe të pandalshëm në kauzën e tyre.

Dokumenti

MASR angazhohet që të nxisë punën kërkimore në Arsimin e Lartë nëpërmjet financimit të drejtpërdrejtë të 4000 kërkuesve në periudhën 2019-2021

100 për qind e institucioneve të Arsimit të Lartë, deri në vitin 2021, të sigurojnë akreditimin institucional dhe akreditimin e programeve të studimit. Konkretisht, rritja e numrit të programeve që akreditohen nga 237 në vitin 2018 në 513 në vitin 2021.

100 për qind e studentëve ekselentë dhe studentëve në nevojë të përfitojnë bursa, tarifë shkollimi zero dhe kredi studentore në vitin 2021

30 për qind të financimit për kërkimin shkencor, universitetet do ta mbledhin përmes enteve private. /Shekulli/

Image

Login to post comments