Një ditë para protestës para Kryeministrisë ka folur njeriu i memeve, Genc Sejko i cili është edhe një nga organizatorët e kësaj proteste. Sipas Sejkos, tubimi i nesërm u ideua në nëntor si protestë e migrantëve të diasporës.
“Kemi tre pika, keqqeverisja, korrupsioni dhe kriminaliteti në vend. Lëvizja studentore na nxori pak “anash”, por sot kemi shtuar disa klauzola në mënyrë që të bashkojmë të gjithë shqiptarët për të protestuar. Pjesa më e madhe do t’i kushtohet sërish studentëve, por do të shtohen elementë specifikë për diasporën si ‘vota e emigrantëve dhe çmimi i biletave që kanë efekt direkt mbi emigrantët’.
Ai shton më tej se protesta do të jetë “paqësore, evropiane, sillni familjet tuaj. “Në Bularat erdhën ekstremiste grekë dhe nuk u cënua e drejta e tubimit, kurse diaspora që është kontribues me remitancat pengohet për të ushtruar një të drejte kushtetuese”, u shpreh ai për A2.
Sejko premton që do të japë kontributin e tij duke thumbuar pushtetin edhe kur të kthehet në Angli, ku banon prej 20 vitesh. Dhe jep detaje për veten: “Jam me origjinë çame nga Filati, i lindur në Shkodër nga familje e persekutuar. Jam thjesht një shqiptar i shqetësuar”.